Aksidentohet kalimtarja në Durrës, shoferi largohet nga vendngjarja. Çfarë panë dëshmitarët
Një grua ka mbetur e plagosur pasditen e sotme në Durrës, ndërsa drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes. Aksidenti u regjistrua në lagjen nr.11 në qytetin bregdetar.
Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për ‘BalkanWeb’ se kalimtarja, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur, ka marrë disa plagë në trup, ndërsa është transportuar me urgjencë në spitalin e Durrësit. Sipas dëshmitarëve, e plagosura fliste italisht, ndërsa dyshohet se është shtetase italiane.
Po sipas tyre, ka dyshime se në timon ka qenë një djalë i ri, i cili pas aksidentit është larguar bashkë me mjetin me shpejtësi. Mësohet se kalimtarja është jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht policia po heton në lidhje me ngjarjen.