Aksion gjobash për biçikletat, gjobiten 36 drejtues që ecnin jashtë korsive
Policia ditët e fundit ka nisur aksion për ndëshkimin e drejtuesve të biçikletave të cilët thyejnë rregullat e qarkullimit, dhe nuk respektojnë korsitë e dedikuara për lëvizje. Vetëm në 24 orët e fundit u ndëshkuan 36 pedalues, të cilët u konstatuan duke mos respektuar rregullat.
Heqja e kufizimeve të vendosura në kuadër të situatës së krijuar nga pandemia ka rikthyer aksionin e policisë për të ndëshkuar shoferët të cilët kryejnë shkeljet rrugore.
Krahas ndëshkimeve të drejtuesve të mjeteve për shkelje rrugore, tashmë ka nisur aksion për ndëshkimin e drejtuesve të biçikletave.
Vetëm në 24 orët e fundit janë konstatuar dhe ndëshkuar 36 drejtues të cilët nuk përdornin korsitë e dedikuara, dhe lëviznin në korsitë e automjeteve apo të shërbimit publik.
Blutë shprehen se ndaj tyre janë është vendosur masë administrative një mijë lekë, sipas nenit 180 të kodit rrugor.
Sipas kodit rrugor, biçikletat duhet të kalojnë në pistat e rezervuara për to, kur ato ekzistojnë.
Cilido që shkel dispozitat e këtij neni, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga dyqind e pesëdhjetë deri në një mijë lekë.
Sipas policisë ky aksion ka nisur me qëllim disiplinimin e lëvizjes së drejtuesve të biçikletave, pasi së fundmi janë shtuar rastet e aksidenteve rrugore ku janë përfshirë pedaluesit.
Gjatë pandemisë u ul numri i aksidenteve ku u përfshinë automjetet, por një fenomen i ri u regjistrua ai i aksidentimit të pedaluesve të biçikletave.
Vetëm gjatë këtij muaji, u regjistruan të paktën 7 aksidente ku u aksidentuan ciklistët, 2 prej tyre me vdekje, ndërsa 5 të tjerët me përfunduan me plagosje.
Policia së fundmi apelon drejtuesit e biçikletave të kenë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të rrugës, ku krahas përdorimit të pistave të rezervuara, të respektohet sinjalizimi i ndritshëm semaforik, apo të marrin biçikletën për dore në kushtet kur bëhen pengesë ose rrezik për këmbësorët.