Aksioni në 2020, Boçi tregon për “KJ” se çfarë do të bëjë PD-ja
Nga: Redjon Shtylla
2019 ka qenë vit i opozitës, kjo jo e përcaktuar si vit i mbarë apo i keq. Duke nisur nga djegia e mandateve në shkurt, pastaj në protesta disa mujore ku nuk mungoi helmimi i shqiptarëve dhe arrestimi i protestuesëve dhe viti u mbyll me turin e kreut të PD-së, Lulzim Basha me “Rrugëtimi për Shqipërinë”.
Përgjatë vitit 2019 vendi kaloi në sfida të jashtëzakonshme por me sa duket në 2020 sipas PD-së, do të zhvillohet beteja finale. Ndaj, ne kontaktuam ish-deputetin e PD-së, Luçiano Boçi, për të mësuar më shumë se çfarë do të bëjë opozita në këtë vit të ri. Pyetja me të cilën ju drejtuam është “Politikisht, PD-ja ka përgjegjësinë që të rrëzojë Edi Ramën. A rrezikojmë të humbasim orientimin tonë, drejtpeshimin dhe të ardhmen? Si do të veprojë opozita në këto muaj të parë të vitit dhe çfarë duhet bërë sipas jush?”
Për të, do të vazhdohet me paraqitjen e alternativës dhe zgjidhjeve reale konkrete programore për t’i ofruar publikut rrugët e daljes nga kriza totale që ka kapluar vendin. Ai zbulon edhe se do të vazhdohet me kontaktet permanente në terren “pa neglizhuar çdo lloj aksioni që i shërben qëllimit të largimit të së keqes nga drejtimi i vendit”.
Përgjigja e plotë
Beteja e opozitës është për të fituar orientimin e çorientuar tërësor të vendit, për të rregulluar drejtpeshimin e humbur demokratik dhe për të rikthyer të ardhmen e fikur tashmë. Përgjatë 2019 beteja jonë njohu shumë kulme e disa stade dhe do vazhdojë të jetë intensive deri në realizimin e objektivave të cituar. Do vazhdohet me paraqitjen e alternativës dhe zgjidhjeve reale konkrete programore për t’i ofruar publikut rrugët e daljes nga kriza totale që ka kapluar vendin, sikurse do vazhdohet me kontaktet permanente në terren pa neglizhuar çdo lloj aksioni që i shërben qëllimit të largimit të së keqes nga drejtimi i vendit.