Aksioni nga SPAK kundër tregut të paligjshëm kibernetik RYDOX, në pranga 3 administratorë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet ligjzbatuese shqiptare, përfundoi me sukses operacionin “RYDOX”, duke goditur një treg të paligjshëm kibernetik dhe arrestuar tre administratorët e tij. Njëri nga administratorët, shtetasi kosovar Sh.S., i cili kishte banim dhe lejeqëndrim në Shqipëri, u arrestua në bazë të urdhrit të prokurorit të çështjes.

Që prej shkurtit 2016, Rydox ka kryer mbi 7,600 shitje të informacionit që gjeneruan të paktën 230,000 dollarë të ardhura. Platforma ka ofruar mbi 321,372 produkte të krimit kibernetik për një bazë përdoruesish prej 18,000 individësh, duke përfshirë informacione personale të vjedhura të identifikueshme si emrat, adresat dhe numrat e sigurimeve shoqërore, informacionin e kartave të kreditit dhe kredencialet e hyrjes të mijëra persona që banonin në Shtetet e Bashkuara.

Operacioni u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK, FBI-së (Zyra në Pittsburgh), Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Drejtorisë së Hetimit të Krimeve Kibernetike në Shqipëri, Prokurorisë Speciale të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Policisë Mbretërore të Malajzisë. Hetimi është pjesë e Procedimit Penal nr.7 të vitit 2024, për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik” dhe “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, sipas Kodit Penal të Shqipërisë.

Aktiviteti i Paligjshëm

Faqja e internetit Rydox funksiononte si një treg i paligjshëm i dedikuar për:

Shitjen e informacionit personal të vjedhur (PII);
Shitjen e kredencialeve të aksesit të pajisjeve të vjedhura;
Shitjen e mjeteve dhe materialeve për kryerjen e krimeve kibernetike, duke përfshirë tutoriale dhe mjete për spam.
Rezultatet e Operacionit

Në ekzekutim të urdhërit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u kryen kontrolle dhe u sekuestruan:

1 njësi kompjuterike dhe 6 laptopë;
5 celularë dhe pajisje të tjera memorizuese;
Dokumente dhe asete monetare në kriptomonedha.
Në kuadër të operacionit, autoritetet amerikane sekuestruan domenin www.Rydox.cc, duke parandaluar përdorimin e mëtejshëm të kësaj platforme për shitblerje të paligjshme. Vizitorët e faqes tashmë do të shohin një baner që njofton sekuestrimin nga autoritetet federale, në bashkëpunim me SPAK dhe partnerët ndërkombëtarë. Hetimet vazhdojnë për përcaktimin e plotë të përgjegjësisë penale të të dyshuarve dhe përfundimin e hetimeve për të gjithë zinxhirin kriminal.

Operacioni ‘RYDOX’ vendos një standard të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe kibernetik, duke dëshmuar potencialin e SPAK për të bashkëpunuar me agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare dhe vendase në të tilla hetime komplekse.

Prokuroria e Posaçme tërheq vëmendjen e publikut mbi rreziqet serioze që aktivitetet e paligjshme, si ato të zbuluara përmes operacionit “RYDOX” paraqesin për individët dhe shoqërinë tonë.

Tregjet e paligjshme të krimit kibernetik jo vetëm që shkelin privatësinë dhe sigurinë e mijëra qytetarëve duke vjedhur dhe shpërdoruar të dhënat personale, por gjithashtu fuqizojnë rrjete kriminale që ndikojnë negativisht në besimin dhe sigurinë publike.

Ftojmë të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm ndaj aktiviteteve të dyshimta në internet, të mos shpërndajnë informacion personal në platforma të pasigurta dhe të raportojnë çdo rast mashtrimi apo abuzimi te autoritetet përkatëse.

SHKARKO APP