Aktakuza për Thaçin/ Bashkurti për çfarë mund të shfrytëzohej tryeza në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërpreu udhëtimin e tij për në SHBA-së, menjëherë pasi Prokuroria Speciale njoftoi për paraqitjen e aktakuzave ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për krime kundër njerëzimit. Diplomati Lisien Bashkurti i ftuar në emisionin “Pasdite me Xhaxhiun”, duke i’u përgjigjur gazetarit në lidhje me publikimin aktakuzave të Thaçit, tha se arsyet i ka bërë me dije Prokuroria Speciale në njoftimin e aktakuzës.
Bashkurti tha se Prokuroria Speciale arsyetonte se kanë informacione të shumta se është rritur presioni mbi gjykatësin e çështjes. Po ashtu po krijohej presion mbi Kuvendin që të zhbëheshin këto dy dhomat speciale. Ai shtoi se ka pasur shumë dyshime nga mediat dhe analistët, se aktorët e gjithë procesit të negociatave të përzierë, me këndvështrime të ndryshme, se mund të shfrytëzohej tryeza e takimeve në Shtëpinë e Bardhë për të shtruar çështjen e zhbërjes së kësaj gjykate.
“Pyetjet janë të shumta por duhet të nisemi me një analizë të ftohtë. Mënyra sesi kanë funksionuar institucionet në Kosovë, zhvillime dhe dështimet që kanë pasur ato dhe si kanë ecur deri tani. Akuza për Thaçi ka filluar shumë herët që ka më shumë së një dekadë. Për herë të parë dosja është paraqitur me 24 prill të këtij viti. Po të shikohet prononcimi publik që bëri Prokurori Special jepen dhe arsye përse. Në bazë të procedurës që ka kjo gjykatë, pas paraqitjes së dosjes nga prokurori ka një procedurë kohore 6 mujore, një nga gjykatësit special duhet ta shqyrtojë dosjen dhe nëse ka fakte të mjaftueshme për të filluar procesi penal, nëse pas 6 muajsh gjykatësi konstaton që dosja ka mangësi e kthen sërish atë tek prokurori. Për të dhënë shpjegimin publik u detyrua të thoshte se kemi informata të shumta që është rritur shumë presioni mbi gjykatësin e tij. Po bëhej përpjekje për t’i zhbërë këto dy institucione, këto dhoma speciale. Po krijohej një presion politik në parlamentin e Kosovës dhe po rritej presioni që gjykatësi t’a kthej dosjen. Nuk ka asnjë të dhënë publike, këto janë arsyetimet. Kjo u bë e njohur publikisht në mes të procedurës që duhet të ishte konfidenciale. Ka pasur shumë dyshime nga mediat dhe analistët, se aktorët e gjithë procesit të negociatave të përzierë, me këndvështrime të ndryshme, kanë pasur dyshime se mund të shfrytëzohej tryeza e takimeve në Shtëpinë e Bardhë për të shtruar çështjen e zhbërjes së kësaj gjykate”.