Akti normativ në Kuvend/ 17 apartamente në njësinë 1 në Tiranë do t’u jepen familjarëve të viktimave
Në Kuvend është depozituar akti normativ që mundëson dhurimin e banesave të gatshme për familjet e personave që humbën jetën nga tërmeti i 26 nëntorit. Në aktin normativ evidentohet se Bashkia e Tiranës do të dhurojë 17 apartamente në pronësi të saj që ndodhen në njësinë administrative numër 1 në kryeqytet.
Akti parashikon gjithashtu se se njësitë e vetëqeverisjes vendore do të dhurojnë në favor të familjarëve të viktimave edhe apartamente nga fondi publik i banesave sociale, të përfituara sipas legjislacionit për strehimin social.
“Akti normativ propozohet për shkak të nevojës që lind për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqesisë natyrore, duke i ardhur në ndihmë familjarëve të viktimave të cilët humbën jetën gjatë tërmetit të datës 26.11.2019, dhe kanë pësuar dëmtime në banesat e tyre duke i bërë ato të pabanueshme.
Për të krijuar mundësinë e një strehimi sa më të shpejtë në kushtet e situates emergjente të krijuar nga tërmeti i datës 26.11.2019, në këtë akt normativ është parashikuar përjashtimi nga parashikimi i ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës kryen fillimisht regjistrimin e apartamenteve që do të dhurohen në regjistrat e pasurive të paluajtshme në emër të Bashkisë Tiranë dhe më pas kryen veprimet e nevojshme për kalimin e regjistrimin e tyre në pronësi të familjarëve të viktimave të shkaktuara nga tërmeti i datës 26.11.2019.
Procedura e dhurimit të këtyre apartamenteve do të realizohet nëpërmjet kontratës së dhurimit, sipas parashikimeve të Kodit Civil, si dhe duke ndjekur procedurat përkatëse në ligjin nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, ku këshilli bashkiak do të japë pëlqimin për dhurimin e pronave të bashkive sipas këtij akti normativ” shkruhet në relacion.
Kuvendi pritet të mblidhet në seancë plenare më datën 5 dhjetor.