Aktivistët mblidhen përpara Drejtorisë së Policisë. Kërkojnë lirimin e protestuesve
Reagimi i qytetarëve për rritjen e çmimeve në vend, ka vijuar edhe këtë të premte, ku një grup protestuesish u mblodhën përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë.
Për ta, kjo nuk është më një protestë vetëm për naftën por për rritjen e të gjitha çmimeve në vendin tonë.
“Ne nuk mund të bëjmë protestë dhe jemi për krizën e përgjithshme ekonomike që na la pa brekë. Nafta nuk është rritur as në Ukrainë aty ku po shpërthejnë predhat. Ne nuk do lejojmë këtë situatë. Njerëzit që dalin në protesta e drejtojnë shtetin. Ata që marrin vendime në tavolina janë sulltanë, që duan të ndajnë copën e tortës. Ju bëj thirrje qytetarëve që të vijnë të na bashkohen” – tha Goci.
Një tjetër protestues u shpreh se kjo që po ndodh nuk ka të ndalur, dhe se as arrestimet nuk do t’i ndalojnë dot.
“Kjo që po ndodh nuk ka të ndalur. Edhe me arrestimet e orëve të fundit, kjo nuk ka për të ndalur. Këta zotërinj që administrojnë shtetin, nuk e kuptojnë që nuk mund të na ndalin dot. Nuk kanë as kapacitet për të mbajtur ata që arrestojnë” – tha një tjetër protestues.
KOHA JONË SONDAZH

