Aktivisti Aulon Kalaja: Qeveria shtyn koncesionin e Milot – Fier për t’u hedhur hi syve shqiptarëve
Aktivisti Aulon Kalaja ka komentuar njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës se shpallja e firmës fituese për rrugën Milot-Fier, do të shtyhet edhe për 1 muaj. Kalaja ka thënë se kjo lëvizje e qeverisë është për të hedhur hi syve shqiptarëve dhe për të ulur vigjilencën e aktivistëve, që kanë reaguar kundër këtij konçesioni. “Arsyeja se afati për tenderin do shtyhet me 1 muaj për shkak të pandemisë është një mashtrim, sepse e vërteta është se qeveria po i lë kohë kompanisë greke “TERNA”, e cila me sa duket nuk ka qepur ende letrat e tenderit. Qeveria është friksuar nga reagimet e opinionit publik për këtë skemë vjedhje. Një konçesion që do i rëndojë shqiptarët për 35 vitet e ardhshme, të cilët do të duhet të paguajnë 20 euro vajtje-ardhje per të kaluar nē autostradën Milot-Fier. Lëvizja e “qeverisë Rama” ka ardhur si pasojë e asaj që ne si aktivistë deklaruam se, së shpejti do dërgojmë në SPAK këtë dosje, me dyshime të forta për aferë koruptive, të zyrtarëve shqiptarë dhe sekserëve të huaj. Gjithashtu me dritëhije për vlerën fantastiko-shkencore të çmimit të rrugës, 1.2 miliardë euro, e ashtuquajtura “rruga e artë”, e shtruar me flori, rreth 7 herë më e shtrenjtë se e njëjta autostradë në Kroaci, pjesë e “koridorit blu”. Me shtyrjen e afatit të tenderit, qeveria erdhi në qëndrimin tonë se koha që i është lënë kompanive prej 3 muajsh është e pamjaftueshme për firmat që të sjellin një ofertë, me përjashtim të ndonjë kompanie që e ka punuar në prapaskenë dhe i është premtuar ky tender. Nëse qeveria shqiptare do e kishte seriozisht, të paktën kompanive do të duhej t’i lijej koha nga 1-2 vite, për të marë pjsë në këtë tender.”
Aulon Kalaja gjithashtu u shpreh se shqiptarët duhet të dijnë të ngrihen, të reagojnë dhe të protestojnë, për të mos lejuar këtë vjedhje të paprecedentë mes “qeverisë Rama” dhe kompanisë greke “TERNA”.