Aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit në Korçë: Në kërkim pronari, arrestohet punëtori i tij
Një 43-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia e Korçës pasi ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit. Ndërkohë është arrestuar punëtori i tij R.K 20 vjeç, i cili punonte si kamarier dhe ishte i pasiguruar pranë organeve tatimore.
”Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët për hetimin e krimit ekonomik-financiar në DVP-Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. K., 20 vjeç, si edhe shpallën në kërkim e po punojnë për kapjen e shtetasit M. D., 43 vjeç, banues në Korçë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në lokalin e 43-vjeçarit, në lagjen nr. 8, Korçë, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës njësi kompjuterike dhe monitorë, të cilët dyshohet se shërbenin për lojra fati të palejuara.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Punësimi i paligjshëm”.