Aktori i mirënjohur feston 70-vjetorin, Mirush Kabashi krenari e Shqipërisë
Aktori Mirush Kabashi do të ndërrojë sot një fletë tjetër në kalendarin e jetës së tij. 70-vjeç dhe me një karrierë shumë të pasur, aktori i mirënjohur i skenës dhe ekranit, vazhdon të punojë intensivisht brenda dhe jashtë vendit, kudo ku ka shqiptarë.
Një javë më parë në Kosovë; dy turne radhazi në SHBA dhe po aq shfaqje të monodramave në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, Kabashi ka vendosur prej vitesh një sinor të ri në veprimtarinë aktoriale. Që nga mesi i viteve ’90, kur ngriti në skenë “Apologjinë e vërtetë të Sokratit” ai punon në mënyrë thuajse vetmitare, duke krijuar një profil të veçantë aktorial.
Mirush Kabashi njihet dhe vlerësohet nga publiku për mesazhet që përçon përmes veprave që përzgjedh, pikërisht kur vendin dhe popullin e shqetësojnë ngjarje të rëndësishme për të ardhmen e kombit.
Monodrama “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e ka premierën në vitin e vështirë 1997; një vit më vonë “Poem kosovar” i Mitrush Kutelit e vendos Kabashin përballë qindra e mijë shqiptarëve në skenat e thuajse të gjitha vendeve të Europës, ku artistët e vendit amë mbledhin të ardhura për çlirimin e Kosovës; poezitë e Nënë Terezës e Pano Taçit, Rudy Kiplingut e Vinçenc Prenushit, Gjergj Fishtës, Kadaresë, Naim Frashërit e Bardhyl Londos, Ali Asllanit, Dritëro Agollit, Edmond Rostand, e shumë të tjerëve, kthehen nën interpretimin e Kabashit në një mjet komunikimi artistik tepër efikas me spektatorët dhe dëgjuesit e shumtë, që shohin në fjalën e tij të vërtetën për të cilën kanë nevojë, dhe jo deformimin e saj.
Mirush Kabashi ka guxuar ta bëjë këtë shumë më parë, kur rrëzohej monumenti i diktatorit, në shkurt të vitit 1991, dhe kur në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” bëhet organizator dhe protagonist i koncertit të fjalës poetike “Për Demokracinë”.
Një koncert të ngjashëm me materiale nga korifejtë e letërsisë shqiptare dhe botërore përsërit ai edhe vitin e kaluar, me titullin e trishtuar “Ah, moj demokraci”. Edhe në ekranet televizive, me të njejtin shqetësim qytetar, ai sjell vazhdimisht vargje që godasin dhe që mbeten në mëndjet e shikuesve. Megjithëse thuajse i vetëm në ndërmarrjet e tij artistike, spektatorët e ndjekin dhe e duartrokasin Kabashin. Repertorit të monodramave, një gjini që fillojnë ta qëmtojnë edhe aktorë të tjerë, Mirushi i shton në vitin 2009 “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”.
Vepra e Erik Emanuel Shmitt ngjitet në skenë në kohën kur në botë, afër dhe larg nesh, forcohen elementët e terrorizmit. Monodrama, titulli i së cilës ndonjëherë i “tremb” organizatorët, fiton mbështetjen e publikut, jo vetëm në qytetet e Shqipërisë, por edhe në ato të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, në SHBA dhe në Kanada. Ndërkohë, “Apologjia e vërtetë e Sokratit” i ka lënë pas prej kohësh 100 shfaqjet, duke u kthyer në zëdhënësin më të mirë për nivelin e teatrit shqiptar në botë.
Pas çmimit “Sfinksi I artë” në Festivalin e 9-të Eksperimental të Kajros, Mirush Kabashi merr miratimin e specialistëve dhe admirimin e publikut në disa festivale dhe turne ndërkombëtarë. Athina, Vjena, Prishtina, Kievi, Toronto, Plovdivi, Beogradi, Gjeneva, Lioni, Parisi, etj. janë vetëm disa nga kryeqytetet me traditë teatrore, ku aktori i shquar prezanton skenën shqiptare. 5 vjet pasi ka dalë zyrtarisht në pension, Kabashi vazhdon të jetë edhe sot jo vetëm një artist i preokupuar për ngjarjet më të rëndësishme të vendit, por edhe për ato të komunitetit teatror, zëdhënës i të cilit bëhet shpesh në veprimtarinë sindikaliste dhe në intervistat mediatike.
48 vjet karrierë, mes skenës dhe ekranit
Bashkë me duartrokitjet e publikut në të gjitha skenat e vendit, por edhe në ato të Evropës, SHBA dhe Kanadasë, Mirush Kabashi është nderuar nga Presidenti I Republikës me titujt “Artist i Merituar” në vitin 1983, “Mjeshtër i Madh i Punës” në vitin 1998 dhe me titullin e lartë “Nderi i Kombit” më 2014.
Karriera e tij 48-vjeçare si profesionist ka nisur në bankat e shkollës së mesme me rolet e kuestorit te “Qielli i kuq” i Tefik Çaushit dhe doktor Adhamudhit në komedinë e Çajupit “Pas vdekjes”. Fëmijë i tretë mes katër djemve në familjen e Musa dhe Menduhije Kabashit, aktori i ardhshëm u dallua menjëherë për cilësitë e tij sportive dhe artistike, çka i bëri drejtuesit e vëmendshëm të jetës artistike në Durrës që ta drejtojnë atë në Institutin e Arteve.
Një shkollë ku Mirushi ndjeu vështirësi në vitet e para, po ku më pas e gjeti veten mirë në klasën e profesor Pirro Manit, i cili beson në aftësitë e tij edhe më parë se sa tema e diplomës me rolin e Vozhevatovit te “Vajza pa prikë” e Ostrovskit.
Pak muaj pasi ishte emëruar në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, regjisori Vangjel Heba i beson atij rolin e Hlestakovit në komedinë “Revizori” të Gogolit. Pjesa konsiderohet një sukses, që e ndal vetëm fshirja nga repertori me urdhër nga lart, ndërsa aktori vlerësohet si një zbulim. Vetëm 23 vjeç, Mirush Kabashi hyn kështu me këmbën e djathtë në skenën e teatrit shqiptar. Për 23 vjet të tjera, artisti durrsak nuk mungon thuajse në asnjë premierë teatrore të trupës “Aleksandër Moisiu”.
Kabashi matet njëlloj si me dramën, ashtu edhe me komedinë, e cila gjithsesi i jep më shumë popullaritet. “Kartela e verdhë” bëhet shfaqja më e shikuar e teatrit të Durrësit, edhe për shkak të rolit të Telit. Ai fiton vendin e parë dhe të dytë si aktori më i mirë në dy festivale kombëtare në pjesën “Mirë se erdhe Elona” të Haxhi Ramës dhe “Hija e tjetrit” të Ruzhdi Pulahës. Një nga rolet e fundit në dramën “Koleksioni I përhershëm” në skenën e Teatrit Kombëtar e bën Kabashin bashkëregjisor dhe partner me aktorin dhe regjisorin amerikan Clarenc Gilliard.
Në të njëjtën kohë i përkushtohet prezantimit televiziv, ku dallojnë Koncertet festive të natës së ndërrimit të viteve, ndërsa nuk lë pa provuar edhe shfaqjet e Estradës me trupat e Durrësit dhe të Lushnjës. Në moshën 30-vjeçare vjen debutimi në kinema. Regjisori Ylli Pepo preferon ta ketë për rolin e Veniamin Papës në filmin televiziv “Emblema e dikurshme”. Më pas interpreton rolin e toger Shazivarit në filmin “Koncert në vitin 1936” të Saimir Kumbaros.
Në teatrin e Durrësit kolegët vazhdojnë të kujtojnë rolin e Marin Mirojut te drama “Ylli pa emër” me regji nga Mario Ashiku, ndërsa në kinema Kabashi e ndërton suksesin me rolet episodikë. Kanë mjaftuar disa batuta të veçuara në skenarin e filmit të Rikard Ljarjes “Radiostacioni” për rolin e njërit prej punonjësve të Radio-Tiranës. Në filmin e Spartak Pecanit “Kohë e largët”, Mirushi bën të kundërtën. Ai e fshin tekstin për ti dhënë jetë figurës së heshtur e misterioze të eremitit. Batutat “bisht qeni do të mbetesh” apo “Bakja për dy orë kap Korçën” lidhen me interpretimet në dy filma të tjerë dhe që hyjnë shpejt në zhargonin e shikuesve shqiptarë. Bëhet fjalë për “Dora e ngrohtë” më 1983, apo “Gëzhoja e vjetër”më 1980.
Më shumë se 100 premiera teatrale e 20 filma artistikë janë vetëm një pjesë e kontributit të aktorit që ka lindur në Shkodër më 17 prill 1948 dhe që bashkë me artin e tij, nuk harron asnjë çast të ushtrojë pasionin e vjetër, notimin, por edhe atë të më të riun, skijimin.
Vlerësime nga personalitete të huaja për Mirush Kabashin
Luigi Maria Musati, Kryetar i Jurisë Ndërkombëtare të Festivalit Teatror Kajro ’97
…Por shumë e rëndësishme për mua, në këtë Festival , ishte zbulimi i këtij aktori, një aktor i jashtëzakonshëm. Por nuk ishte vetëm për mua i jashtëzakonshëm , ai shtangu të gjithe Jurinë, që mbetën të mahnitur. Për 1 orë e 20 minuta, ai zotëroi skenën me një gjuhë, të cilën asnjë nuk e kuptonte, por që ai e bëri të kuptueshme nëpërmjet shpirtit të tij, nëpërmjet mesazhit të asaj që ai thoshte, mesazh i të domosdoshmëm për tu thënë . . .
Chrisanthi Douzi, e cila u vlerësua si Aktorja më e Mirë e Festivalit Ndërkombëtar të teatrit në Kajro 1997: “E vutë re i dashur koleg, se nga 1000 artistët pjesmarrës që përfaqësonin 46 shtete nga e gjithë bota, “Sokrati” Shqiptar dhe “Atrida” Greke u vlerësuan si Aktori dhe Aktorja më e Mirë e këtij Festivali Madhështor.”
Festivali Ndërkombëtar “Kyiv Top Fest” zhvilluar në Kiev ( Ukrainë) Maj 2004
Aleksei Kuzhjelni – President i Festivalit
Aktorë të tillë botërorë si Mirush Kabashi përbëjnë një thesar për njerëzimin. Ai është një emër i nderuar dhe dinjitoz jo vetëm për teatrin shqiptar, por edhe për atë botëror. Në qoftë se më pyesni: A kishte yje ky festival, unë do tu përgjigjesha: A nuk është I tillë aktori shqiptar Mirush Kabashi.
Igor Negresku-regjizor, Profesor në Akademinë e Arteve të Kievit.
Unë mund të them vetëm një fjalë: Falenderoj Zotin që më dha mundësinë të shikoj këtë shfaqje të mrekullueshme dhe këtë aktor të shkëlqyeshëm. Mirushi është një aktor gjenial, me një teknikë të përsosur, që për asnjë sekondë nuk të le të marrësh frymë.
Gazeta “Starts” e Beogradit – Nga L. Goluboviq 2004
“Sokrati” shqiptar në Beograd”
“Për herë të parë në historinë e teatrit serb, u shfaq teatri I Tiranës! “Nuk kam para, as edhe lakmi për to, të gjithë kënaqësinë dhe prehjen e gjej vetëm në shpirt –tha në fund të shfaqjes “Apologjia e vërtetë e Sokratit” aktori I madh shqiptar Mirush Kabashi. Për fat të keq në sallë nuk ndodhej asnjë politikan që ta dëgjonte këtë mesazh të artistit.“Sokrati shqiptar” la te publiku një përshtypje të mrekullueshme”.
Gazeta “Politika” nga M. Jovigjeviç
Koha e përafrimit tonë
“Prania e legjendës së gjallë të aktrimit shqiptar Mirush Kabashi me inskenimin e “Apologjisë së Sokratit” të Kostas Varnalis (një Sokrat origjinal i viteve ’30 të shekullit të XX) në Festivalin ndërkombëtar Teatror “Sllavija 2004” përbënte dhe përbën të vetmin rast që publiku ynë të shohë të paktën një pjesëz nga ç‘farë po ndodh me teatrin te fqinji ynë, që deri më sot, për shkak rrethanash jo fatlume, ka qenë gjithsesi një vend ekzotik”.
Festivali i 11 i Festivalit teatror Plovdiv (Bullgari) 2007
Krasimira Filipo, Drejtore e Drejtorisë së Arteve në Ministrinë e Kulturës Bullgare
“Të nderuar zonja e zotërinj. Për herë të parë në Festivalin tonë “Teatri në udhëkryq”, kemi si të ftuar Teatrin Kombëtar nga Shqipëria. Ju u bindët vetë se sa bashkëkohor tingëllon teksti I shkrimtarit grek Kostas Varnalis në interpretimin e shkelqyer të Aktorit, z.Mirush Kabashi. Në emër të Festivalit, dhe ne emer te Drejtorit artistik të tij, Profesor Danajlov (Ministër i Kulturës) më lejoni t’i dorëzoj Z. Kabashi kupën e Festivalit, si dhe t’i urojmë trupës së Teatrit Kombëtar të Tiranës, shikim sa më të shpeshtë”. /Shqiptarja.com/