Aktorja Bisha kërkon pezullimin e Diellës, avokati: Duam 1 mln euro dëmshpërblim
Aktorja Anila Bisha, imazhi dhe zëri i së cilës përdoret nga Ministrja virtuale Diella, ngriti një padi më 9 shkurt të këtij viti përmes së cilës kërkon që të dhënat e saj të mos përdoren më nga avatari qeveritar, duke pretenduar dhe një dëmshpërblim 1 milion euro për dëmtim imazhi.
Të hënën Gjykata do të vendosë nëse do ta urdhërojë qeverinë të ndalojë përdorimin e imazhit të Bishës, por avokati Aranit Roshi shprehet se “ligji thotë se në rastet e shkeljes së të dhënave personale, gjobat për institucionet shtetërore shkojnë deri në 21 milionë euro, ndaj kërkesa jonë për 1 milion është një shumë e arsyeshme”.
Drejtoresha e Agjencisë për Median dhe Informimin, Manjola Hasa tha se qeveria e sheh këtë si një të drejtë ligjore të ushtruar nga Bisha, por e konsiderojnë pretendimin e ngritur nga ajo si të pabazë.
“Shqipëria është një vend i lirë dhe demokratik, ku qytetarët kanë të drejtë të mendojnë dhe të veprojnë përmes mekanizmave ligjorë kundër qeverisë. Në këndvështrimin tonë pretendimi s’ka asnjë bazë, por i mbetet gjykatës ta vendosë kush ka të drejtë”, u shpreh Hasa në një reagim për mediat. Kur kryeministri e prezantoi Diellën për herë të parë në shtator 2025, aktorja thotë se është ndjerë tërësisht e befasuar kur ka konstatuar se avatari ishte ndërtuar sipas imazhit të saj.
KOHA JONË SONDAZH

