AKU gjobit me 5 milionë lekë 4 subjekte në Vlorë, Berat dhe Durrës

Drejtoritë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, (AKU) të qarkut Vlorë, Berat dhe Durrës ushtruan kontrolle në 4 subjekte, me aktivitet “Bar-Restorant” dhe “Magazina ushqimore”, nga ku u konstatua ushtrimi i aktivitetit të pa licencuar, mungesa e kushteve higjieno-sanitare, etiketim i parregullt i produkteve, mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP) si dhe produkte me afat përdorimi të skaduar. AKU bën të ditur se për shkeljet e konstatuara, AKU mori 10 masat administrative “Gjobë” me vlerë totale 5 milion lekë për katër subjekte si dhe “Bllokim produkti” me destinacion asgjësimin për produktet e pasigurta të konstatuara në një subjekt, citon njoftimi AKU-së.

Më konkretisht nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Suljan Skura” Kuçovë, Berat, me aktivitet “Tregti me shumicë të artikujve të ndryshëm ushqimor”, u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë pa u pajisur me licensën përkatëse. Gjatë kontrollit të kryer u evidentua se kushtet higjeno-sanitare në ambientet e përpunimit ishin të papërshtatshme, produktet ushqimore nuk ishin të sistemuara dhe një pjesë e madhe e produkteve (pije freskuese, ujë dhe birra) ishin vendosur në ambjentin e jashtëm të ekspozuara ndaj agjentëve atmosferik dhe dëmtuesve të ndryshëm. U evidentuan gjithashtu një sërë produktesh me afat të kaluar përdorimi (miell) si dhe produkte të papajisuara me etiketë në gjuhën shqipe (oriz, kos frutash dhe pije energjike). Nga shqyrtimi i dokumentacionit u konstatua se subjekti nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë për produktet që tregtonte, si dhe nuk dispononte planin e vetkontrollit (HACCP).

Për shkeljet e evidentuara AKU vendosi “Gjobë” me vlerën 1,500,000 lekë për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licensën përkatëse, “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare, “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi, “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë për mungesë të planit të vetkontrollit (HACCP), “Gjobë” me vlerën 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë për etiketim të produkteve ushqimore në kundërshtim me ligjin si dhe “Bllokimi i produkteve” me afat të kaluar përdorimi, me qëllim asgjësimin e tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “PASTARRRELLA” me aktivitet “Bar-Restorant” Vlorë, u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin i papajisur me licencën përkatëse, si dhe nuk dispononte planin e vetëkontrollit (HACCP). Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat administrative: “Gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licencën përkatëse, “Gjobë” me vlerë 100,000 lekë për mungesë të planit të vetkontrollit (HACCP).

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “PIRATËT” me aktivitet “Bar-Restorant” Dhërmi, Vlorë, u konstatua se subjekti ushtron aktivitetin i papajisur me licencën përkatëse. Për shkeljen e konstatuar, AKU mori masën administrative: “Gjobë” me vlerën 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licencën përkatëse. Nga kontrolli i ushtruar në subjektin “Emiljano Dosku” me aktivitet “Bar-Restorant” Ishëm, Durrës, u konstatua se ambientet e përgatitjes së ushqimeve ishin tërësisht të hapura dhe të ekspozuara ndaj pluhurave, mungonte magazina për mbajtjen e lëndës së parë, si dhe punonjësit nuk ishin të pajisur me libreza shëndetësore. Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masën administrative: “Gjobë” me vlerë 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet rigoroze në bar-restorante dhe magazina ushqimore në kuadër të vijimit të mbarëvajtjes së sezonit turistik, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?