Akuza bombë: Krerët e policisë luajnë trafikun!

Dritan Zagani është një nga emrat më të përfolur në media këto ditë.

Ka punuar si ish-shef i Antidrogës në Fier dhe ish-shef hetimi në Drejtorinë e Kufirit në Vlorë.

Prej kohësh është vënë nën akuzë dhe gjykata e ka lënë në arrest shtëpie.

Por mediat thonë se ai është arratisur.

Megjithatë Zagani është shfaqur për mediat duke dhënë një intervistë të gjatë për Gazetën Shqiptare, duke lëshuar akuza bombastike për krerët e policisë.

Sipas tij, janë ata që e luajnë trafikun e drogës.

Por vetë Zagani për çfarë akuzohet?

Thuhet se ka dekonspiruar aksionet e policisë, duke i dhënë informacione për trafikantët një oficeri të Guardia di Financas.

Po ashtu ishte nën akuzë me dyshimet se ka bashkëpunuar në trafik, por kjo akuzë i ka rënë.

“U dhashë eprorëve pesë numrat e trafikantëve për t’i vënë në përgjim. Por pas 15 ditësh dolën të mbyllur. U dhashë informacion për 1 ton drogë në filan banesë në Borsh, që ruhej natën nga 2 vetë me kallash. Më thanë ‘shkuam, por nuk gjetëm gjë’. Për grupin e Vlorës, homologu im më tha: ‘hiq dorë, e ke kot’”.

“Në atë periudhë, nëntor 2013 deri në maj të vitit 2015, kur unë isha në detyrë, të fiksuara janë shtatë rrugë të trafikantëve. Droga transportohej nga Lazarati për në Borsh. Pjesën më të madhe e bënin nëpërmjet linjës Gjirokastër, Fier, Vlorë.

Ky grup përfaqësonte një grup kriminal shumë të fuqishëm, me mbështetje të madhe edhe nga kolegët e mi”.

Sipas Zaganit, grupi vazhdon të funksionojë edhe sot.

Ai shton se burimet e tij jo vetëm kërcënoheshin, por në një rast burimit të tij i nxorën përpara tabulatet e bisedës që kishte bërë me Zaganin.

“Subjekti i kishte thënë burimit tim, shikoji këto letra, këto janë tabulatet e Dritan Zaganit, ti i ke dhënë mesazh për aktivitetin tim. Nuk e kam problem për 2 mijë euro që kam blerë këto tabulate, jam gati të jap edhe 2 mijë euro dhe t’ju zhduk”.

“Burimi më erdhi i trembu dhe qante se ishte kërcënuar. Të të vijë një trafikant me të dhënat e një punonjësi policie në dorë?! Unë humba besimin dhe u betova që me këta drejtues të shitur nuk do të jepja më asnjë të dhënë”.

Intervista vazhdon nesër.

SHKARKO APP