Akuza nga Berisha: Zhvillimi dramatik për çështjen McGonigal, detyroi Ramën të bënte draftin për Kosovën
Sali Berisha thotë se drafi i prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama është i hartuar nga Beogradi, madje ai shkon edhe më tej, duke bërë një lidhje mes këtij vendimi të kreut të qeverisë dhe dosjes së “McGonigal”. Për të përfshirja e Ramës është një përpjekje e tij për të shpëtuar nga afera McGonigal. Kjo sepse sipas Berishës, dy dosjet e McGonigal, ajo në Nju Jork dhe Uashington janë bashkuar në një të vetme, duke rënduar pozitën e shefit të ekzekutivit.
“Ky është një propozim i ardhur nga Beogradi, i cili e nxori në një moment kritik për Kosovën, nxori letrën e tij dhe i tha tani “do lexosh këto”. Në këtë mes hyn dhe çështja McGonigal, ju garantoj që forcë në botë nuk ka që të mund ta shpëtojë Ramën për korruptimin e McGonigal, unë sipas miqve të mi në SHBA kam mësuar se as presidenti nuk paska autoritet për të të falë gjatë procesit gjyqësor, përveç kësaj ka edhe një zhvillim dramatik në këtë proces.
Deri para 3 javësh, çështja shqiptare me çështjen ruse, ishin të ndara njëra në Nju Jork, tjetra në Uashington dhe pa lidhje me njëra tjetrën, por dolën të dhëna të tjera që treguan se çështjet nuk janë të ndara, Tirana, një qendër në nivele kaq të larta, ka një lidhje kjo histori, McGonigal, Moska dhe Tirana, pse Tirana është me këto 2 metropole të mëdha, prandaj prokuroria e SHBA i kërkoi gjykatësit në Uashington të bashkojë çështjet, Rama është në një mobilizim të tmerrshëm, po mobilizon miq të tij kudo, edhe Soros. Rama nuk është më vetja e tij, i ka kohët e numëruara dhe është i aftë të bëjë çdo gjë për mbijetesë”, tha Berisha për ”A2cnn”.