Akuzat e Bashës për fshehjen e viktimave, SPAK: Nuk është ngritur ende një grup hetimor
Pas akuzave të kreut të PD-së, Lulzim Basha se qeveria fsheh numrin e viktimave nga Covid-19, Prokuroria e Posaçme (SPAK), ka reaguar duke thënë se nuk ka kompetenca të hetojë në lidhje me inventarin e viktimave pas infektimit me Covid-19.
Për ”Report TV”, SPAK është shprehur se nuk mund të merret me deklarata politike. Prokuroria e Tiranës që ka kompetencë nuk ka ngritur ende nje grup hetimor dhe për pasojë nuk është bërë asnjë verifikim. “Nuk kemi kompetenca të inventarizojmë të vdekurit apo të merremi me deklarata politike”,- tha SPAK.
Lulzim Basha i ftuar mbrëmjen e së enjtes në emisionin ”Opinion”, nxori një dokument nga morgu që tregon sipas tij, se numri i viktimave është shumë më i madh nga sa shpallet çdo ditë nga qeveria.
”Situata edhe më e rëndë është gjatë muajit nëntor që ende nuk është mbyllur. Në 17 ditët e para të muajit janë raportuar 128 viktima, ndërsa shifrat reale tregojnë se numri i vdekjeve gjatë këtyre ditëve është më shumë se dyfish, plot 315 vdekje. Data 9 nëntor rezulton si më tragjike sa i përket fataliteteve ku ministria e shëndetësisë ka raportuar numrin më të lartë të vdekjeve, 11, ndërsa shifrat reale sipas të dhënave të publikuar nga Basha, janë 26 viktima nga Covid-19”,-u shpreh Basha.