Akuzat e Dick Marty-t, Balla: Komisioni nuk do hetojë Lulzim Bashën
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, foli nga foltorja e Kuvendit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm, që do të hetojë akuzat e raportit të Dick Marty, sipas të cilit në Shqipëri janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në kuadër të luftës së UÇK-së në Kosovë.
Balla iu bëri thirrje të gjithë krerëve të grupeve parlamentare në Kuvend që të mblidhen për të zgjedhur nëntë deputetët, që do të përfaqësojnë këtë komision, që sipas tij, do të vërtetojë me dokumente zyrtare që në Shqipëri nuk janë kryer krime të tilla. Më tej, Balla sqaroi se ky komision nuk do të jetë për të hetuar kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Më 2008 ka pasur një tentativë për të miratuar një rezolutë për të ashtuquajturat krime kundër njerëzimit të ndodhura në territorin e Shqipërisë nga ushtria e UCK. Është në kredibilitetin e Kuvendit që të hetojë, në funksion të përmbledhjes së fakteve dhe konkluzioneve, në të cilat kanë mbërritur institucionet shqiptare që kanë hetuar. Është kërkuar ngritja e komisionit të posaçëm, që të mbledhë deputetë nga të gjitha grupet këtu në Kuvend, duke i dhënë peshë dhe rëndësinë që duhet me një përfaqësim sa më adekuatë me njerëz që e njohin këtë proces, të arrijmë të bëjmë bashkë të gjithë konkluzionet e arritura. Jemi të gjithë dakord që në Shqipëri nuk kanë ndodhur kurrë krime lufte. Lufta për liri dhe pavarësi nuk është kurrë krim lufte. Në këtë kontekst, do doja që bashkë me krerët e grupeve parlamentare të bëjmë një diskutim shumë konstruktiv për të përzgjedhur më së miri 9 deputetët e Kuvendit, që do të jenë pjesë e këtij komisioni. Nuk duhet kurrsesi të politizojmë këtë komision.
Sot jemi në një moment ku nga rezoluta dhe raporti kemi kaluar në një fazë, ku janë ngritur aktakuza përkundrejt luftëtarëve të Kosovës. Shqipëria është sot në një dokument zyrtar të një Dhome Speciale, në kuadër të tribunalit të Hagës, për t’u verifikuar. Ka pasur një përpjekje për të identifikuar këtë komision të posaçëm me diçka tjetër, me përfshirjen e Lulzim Bashës, nuk ka të bëjë fare komisioni me të. I bëj thirrje Bashës të qetësohet, nuk ka komision për ta hetuar, pasi do të ishte humbje kohe. Luli e ka vënë vulën e turpit, i takon demokratëve të ngrihen e t’i kërkojnë të sqarohet për rolin e tij në luftën e UÇK. E vetmja gjë që nuk më shkon kurrë në mendje është të bëj politik me një çështje të interesit kombëtar. Menjëherë sapo ta kemi miratuar komisionin, do duhet që përmes dokumenteve zyrtare të sqarojmë çdo institucion që në Shqipëri nuk janë kryer krime lufte apo kundër njerëzimit”, tha Balla.