Akuzat ndaj Thaçit dhe Krasniqit, Cakaj: E gjitha politike, Serbia po del më viktimë se Kosova

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ndërsa ka komentuar daljen sot para Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Hagës të ish-presidentit të Kosovë, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, tha se e gjitha kjo është politike.

Në një lidhje me Skype për emisionin “Open”, Cakaj tha se në këtë proces, Serbia po del më viktimë se Kosova, duke shtuar se të gjitha dënimet për krimet e Serbisë në Kosovë, kanë qenë në profile ushtarake.

“Konfirmimi zyrtar ligjor i aktakuzës, është një çështje që nuk ka të bëjë me dy emra të përveçëm, sepse ata janë aty si drejtues të UÇK. Atu po synohet dekriminalizmi i ushtrisë së UÇK, po vertikalizohet përgjegjësia, gjë që është e padrejtë. Rrezikon të përmbysë narrativën historike për përmbysjen e Jugosllavisë dhe luftën çlirimtare të Kosovës, pasi më del më shumë viktimë Serbia se sa Kosova.

Fakti që unë kritikoj procesin e sotëm, kjo nuk do të thotë e në Kosovë nuk ka pasur gabime, pro krimet e luftës në Kosovë janë hetuar. Në anën tjetër, duhet patur parasysh që krimet e Serbisë, dy profile të larta kanë shkuar në Hagë dhe kanë përfunduar pa një dënim të formës së prerë. Të gjitha dënimet për krimet e Serbisë në Kosovë, kanë qenë në profile ushtarake dhe të mesëm. Pra deri sa në Serbi po deshtetëzohet akuza për krime lufte, nuk duhet të shfaqet para gjyqit, pas 20 vitesh një ish-president i Kosovës. Vetë ekzistenca e Gjykatës Speciale është politik. Është selektive, ka mandat të hetojë vetëm krimet e supozuara të shqiptarëve dhe le në heshtje përgjegjësinë kriminale të strukturave të lart atë Serbisë”, tha Cakaj.

SHKARKO APP