Akuzat ndaj UÇK, Pandeli Majko: Metodë për të ndryshuar elitën politike

Ish-Kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko e konsideron të turpshme atë që po ndodh me akuzat për krime lufte të ngritura ndaj ish-drejtuesve dhe luftëtarëve të UÇK-së.

Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, Majko tha se akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e të tjerëve, po bëhen për të ndërruar elitën politike të Kosovës.

“Mendoj se mund të zgjidhej metodë më e ndryshme për të ndërruar elitën politike të Prishtinës. Kjo që po ndodh është e turpshme. Mendoj se kjo është një dramë që po ndodh. Secili duhet ta përjetojë sipas mënyrës së vetë”.

Sa i përket akuzave të pretenduara për trafik organesh që kryheshin nga luftëtarët e UÇK-së në një shtëpi në Burrel, Majko u shpreh se nuk ka asnjë dokument që e konfirmon.

“Shqipëria në atë periudhë ka qenë e bombarduar, pozitivisht flas, me misione gazetarësh, me misione ndihmash. Nuk ekziston asnjë dokument që të ketë identifikuar pranë qeverisë shqiptare natyra të cilat si ato që janë shkruar në akt-akuzën e Gjykatës së Hagës”.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP