Akuzat për kuotat e partisë, Koka: Respektojmë statutin

Ministri i Mjedisit, anëtar i Kryesisë së LSI-së, Lefter Koka reagoi sot ndaj akuzave të deputetit të opozitës, Sali Berisha, sipas të cilit, LSI ka përfituar fonde nga Thesari i Shtetit përmes ministrave në qeverisje duke keqpërdorur pushtetin tyre.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, ministri Koka sqaron se “anëtarët e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Kryesia e saj, Deputetët dhe Ministrat e respektojnë detyrimin statuor, por edhe moral për kontributin vullnetar pranë partisë në të cilën aderojmë”.

"Unë, vullnetarisht, -shprehet Koka, -nga paga ime mujore, transferoj 5.000 Lekë pranë llogarisë bankare të LSI në formën e kuotës së antarësisë në parti. Më normale dhe korrekte se kjo nuk ka ku të shkojë, për një anëtar partie”.

“Në mënyrë që t’i jap mundësinë edhe z. Berisha dhe kujtdo tjetër ta shohë që unë i paguaj kuotat e anëtarësisë në parti, kam zgjedhur që transaksioni i pagesës të kryhet direkt nga Dega e Thesarit, duke më reduktuar pjesën e pagës që po kjo Degë Thesari më transferon në llogarinë time personale, në një bankë të nivelit të dytë”, nënvizon ministri Koka.

Më tej, ai shkruan se “edhe pensionisti në fjalë, që nuk pushon as të dielave pasdreke, deri në vitet ’90 e paguante rregullisht kuotën mujore rreth 20 Lekë apo aty afër më duket, pranë partisë në të cilën militonte me devotshmëri, si gjithmonë vullnetarisht, me korrektesë të plotë dhe pa shkelur afatet e pagesës. Dhe mirë e bënte, se të paguash kuotën është detyrimi minimal i një anëtari partie.

“Tashmë nuk di se ç’bën, paguan apo nuk paguan kuotë partie, është apo nuk është në parti, por kjo mbetet një çështje personale e tij dhe aspak e imja”, përgundon reagimin e tij, ministri i Mjedisit Lefter Koka.

SHKARKO APP