Akuzohet për vrasjen e efektivit në Fier, dërgohet për gjykim dosja ndaj Azgan Mërnicës

Prokuroria e Fierit mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim autorin e vrasjes së efektivit të Forcave “Shqiponja”, Novruz Cenaliaj, në maj të vitit 2024.

Autori i krimit, Azgan Mërnica, do të përballet në gjyq me akuzat e “Vrasjes së punonjësve të policisë”, “mbajtje e prodhim armësh dhe municionesh” dhe “drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”

Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se mesditën e 13 majit 2024, i pandehuri Azgan Mërnica ka vrarë me armë zjarri efektivin e policisë, në kohën kur ky i fundit mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja”

Sipas organit të Akuzës, konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për qytetarët.

Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurit për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur me çantën ku kishte armën e zjarrit, i është afruar dhe ka shtënë drejt fytyrës së efektivit, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

SHKARKO APP