Alarm në Fier, 60 gjimnazistë probleme me frymëmarrjen. Ambulanca dhe policia me sirena në shkollë dhe spital
Një javë pasi 6 nxënës u helmuan në shkollën e mesme “Janaq Kilica” në Fier, një tjetër ngjarje është regjistruar në këtë institucion.
Sot 60 nxënës janë dërguar në spital me probleme në rrugët e frymëmarrjes dhe situata u bë kaotike.
Ndërkohë është zbardhur shkaku i helmimit në shkollën “Janaq Kilica”. Është një nxënës që është identifikuar dhe pritet të ndalohet nga policia, nga fshati Kurjan dhe dyshohet se është pikërisht ai që ka hedhur në të dyja rastet e helmimit, një spraj peper në klasë dhe në ambientet e shkollës.
Ky spraj ka shkaktuar probleme në frymëmarrje dhe djegie të syve e lëkurës. Nxënësi në fjalë njihet si një nxënës problematik.
Ky është një spraj në formën e gazit lotsjellës që shkakton probleme të menjëhershme, veçanërisht në lëkurë e frymëmarrje. Dyshohet që nxënësi të ketë përdorur 4 spraj të tillë.
Por edhe Policia e Fierit ka dhënë informacionin e parë paraprak në lidhje me helmimin e nxënësve ku thotë se e gjitha dyshohet të ketë ndodhur pasi një nxënës i shkollës “Janaq Kilica” të ketë hedhur një spraj piperi.
Kujtojmë se një javë më parë nxënësit u helmuan në laboratorin e orës së Kimisë, për shkak të një reaksioni kimik.
Ngjarja në Fier, Ministria e Shëndetësisë: Nxënësit në gjendje shëndetësore të stabilizuar
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po ndjek me vëmendje situatën shëndetësore në Fier, ku një grup nxënësit të shkollës së mesme “Janaq Kilica” janë paraqitur me shenja intoksikacioni në spitalin rajonal të Fierit.
“Spitali Rajonal Fier bën me dije se 42 nxënës po marrin trajtim në këtë spital dhe gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar. 8 prej tyre kanë lënë spitalin pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa pjesa tjetër po monitorohet në vazhdimësi, por mjekët konfirmojnë se, nuk ka asnjë prej tyre në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor menjëherë sapo është njoftuar për këtë ngjarje në gjimnazin “Janaq Kilica”, në qytetin e Fierit ka nisur grupet e inspektimit në terren për verifikim dhe marrjen e masave të menjëhershme. Aktualisht, nuk ka të dhëna për ndotje të ajrit në bazë të mostrave të marra nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Fier. Kjo analizë do të kryhet nesër në orën 07.30 për të vendosur hapjen e shkollës dhe vazhdimin normal të procesit mësimor“,- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.