Alarmi i kompanisë ndërkombëtare: Qeveria të ndërhyjë urgjent, ekonomia është në rënie

Kompania ndërkombëtare e vlerësimit “Standard and Poors” ka paralajmëruar qeverinë që të përmirësojë urgjentisht klimën e biznesit, pasi ekonomia po kërcënohet nga rënia e investimeve.

Në raportin e fundit të vlerësimit, “Standard and Poors” thotë se numri i vogël i projekteve të investimit në Shqipëri, ka rritur rreziqet për ekonominë shqiptare si dhe do të ngadalësojë rritjen ekonomike të vendit.

“Për periudhën 2020-2023 ne parashikojmë se ekonomia shqiptare do të rritet mesatarisht me 3.5 për qind në vit. Por ky parashikim rrezikohet nga rënia e investimeve dhe ngadalësimi I rritjes ekonomike në vendet partnere si Greqia dhe Italia”,- thuhet në raportin e kompanisë ndërkombëtare.

Ekspertët e “Standard and Poors” thonë e vetmja mënyrë që ekonomia shqiptare të dalë nga ky kurth është përmirësimi i klimës së biznesit për të tërhequr më shumë investime të huaja. Paralajmërimi i “Standard and Poors” është kritik për rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe rritjen e nivelit të të ardhurave për qytetarët.

Sipas parashikimeve të “Standard and Poors”, në katër vitet e ardhshme investimet do të jenë në tkurrje të vazhdueshme duke zbritur në 19.9 për qind në vitin 2023. Kjo rënie I atribuohet kryesisht përfundimit të dy investimeve të mëdha, gazsjellësit “TAP” dhe kaskadës së Devollit, ndërkohë që nuk ka asnjë projekt tjetër në horizont për zëvendësimin e tyre.

SHKARKO APP