Alarmi nga eksperti: Policët tanë kanë veç armë vdekjeprurëse

Në Shqipëri nuk ka qetësi që pas vrasjes së 25-vjeçarit nga Policia e Shtetit. Në çdo qytet ka protesta dhe revoltë. Eksperti i Sigurisë, Arjan Dyrmishi, thotë se problem është edhe konceptimi i policimit dhe përdorimit të armës. Sipas tij, fakti që policia është e pajisur vetëm me armë vdekjeprurëse tregon mënyrën e policimit, ndërsa sugjeron që të përdorë edhe armë jovdekjeprurëse.

“Policia jonë është e pajisur me armë vdekjeprurëse, por armët jovdekjeprurëse duhet të jenë pjesë e pajisjeve policore dhe fakti që policia jonë nuk i ka këto armë, do të thotë që marzhi i gabimit është i lartë. Të mendojmë për të pasur një forcë profesionale policore. Duhet kuptuar nëse është gabim i punonjësit në fjalë apo shkak i mënyrës si konceptohet detyra policore? Policët tanë kanë vetëm armë vdekjeprurëse, çka tregon që kemi edhe një problem me mënyrën se si është konceptuar. Fakti që mund të përdorë këtë armë është më i shpeshtë. Fryma ka të bëjë me kulturën, por mendoj se është çështje konceptuale e policimit”,-thotë për ”A2cnn”.

Sipas Dyrmishit, problemi është dhe strukturor jo vetëm individual, pasi t’i japësh policit vetëm një instrument, do të thotë që vetëm atë i ke mësuar. Ai kërkon një përfshirje më të gjerë të institucioneve për policimin në Shqipëri.

“Duhet të ketë një përfshirje më të gjerë për mënyrën e policimit në Shqipëri, nuk është çështje që fillon e mbaron te ministri i Brendshëm, por ne kemi një sistem që parashikon mbikëqyrje të Kuvendit që duhet të jetë më aktive, janë institucionet si Avokati i Popullit për të ekzaminuar procedura të tilla”, thekson eksperti.

SHKARKO APP