Alarmi nga mjekja Çomo: Po shtohen rastet me të sëmurë rëndë
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka shpërndarë mesazhin e Shefes së Infektivit në Qendrën Spitalore Universitare, Najada Çomo, e cila prej 5 muajsh po përballet së bashku me ekipin mjekësor të shërbimit Infektiv me virusin e rrezikshëm, duke u shërbyer pacientëve të shtruar.
”Jemi në sezonin e verës, kanë kaluar 5 muaj dhe fluksi i pacientëve të paraqitur të shtruar në Shërbimin Infektiv ka ardhur duke u shtuar me të sëmurë rëndë. Unë kam një apel për qytetarët që na ndjekin. Gjithë këto muaj pune intensive në shërbimin Infektiv, që nga dimri deri në verë janë lodhje dhe një punë e jashtëzakonshme, por kam një apel: ju lutem respektoni masat e thëna që janë mbajtja e maskës, ruajtja e distancimit fizik me njëri-tjetrin dhe frekuentoni sa më pak ambiente publike apo situata ku grumbullohen njerëz, sepse janë vendi me rrezik shumë të lartë për t’u infektuar nga Covid-19. Virusi është midis jush, natyrisht që është edhe midis nesh si personel shëndetësor që ju shërbejmë juve”.