Alarmi për ruajtjen e objekteve historike (FOTO)

Nga Kristaq Balli*

Ditët e fundit në shtypin qendror janë botuar disa intervista, njoftime e shqetësime mbi problemin e “dezinfektimit” të fondeve, apo mjediseve ku ruhet pjesa më e madhe e objekteve kulturore, artistike (dhjetëra mijëra syresh) të përbëra nga materiale që janë të atakueshme nga insektet dëmtues në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë, Muzetë Onufri e Etnografik Berat, Muzeu Gjergj Kastrioti, Krujë), pa përmendur koleksionet e shumta rajonale e lokale, etj dhe që përbëjnë një problem shumë serioz në dëmtimin dhe degradimin e tyre. Si për të justifikuar situatën tepër alarmante që përbën ky fenomen, që është shumë agresiv gjatë muajve të pranverës deri në mesin e vjeshtës, kur temperaturat ulen, drejtuesit, apo specialistët restaurues të këtyre institucioneve deklarojnë se do të kryejnë “dezinfektimin” vjeshtor të mjediseve ku këto objekte ruhen dhe se për këtë ju duhen pak fonde (që arrijnë në disa dhjetëra mijë lekë) e që kanë vështirësi për t’i siguruar) për të dalë nga kjo situatë.

E pabesueshme, alarmante e skandaloze është në fakt se deri ku ka arritur gjendja dhe niveli profesional, teknologjik e “shkencor” (term i cili është përjashtuar, i ndaluar sa është bërë tabu në fjalorin e muzeumeve që merren edhe me restaurimin e konervimin) i menaxherëve dhe specialistëve të tyre. Mediokriteti, amatorizmi, mungesa e përgatitjes profesionale, diletantizmi dhe mungesa e kompetencës për mundësinë e aplikimit të metodave të efektshme konservuese në fushën entomologjike, të krijimit të mjediseve adekuate dhe përdorimit të teknologjive, pajisjeve dhe materialeve bashkëkohore për manipulimin e tyre biologjik, është rezultat i një niveli të kapërcyer e të prapambetur qysh prej shekullit të kaluar, aq sa një specialist i mirëfilltë do ta befasonin këto “çudira shqiptare”. Sigurisht nuk është vetëm përgjegjësi i këtyre njerëzve, por, siç thuhet që “peshku qelbet nga koka”, duhet të theksojmë se niveli restaurues e konservues që është në stanjacion apo edhe në dekadencë (tregues të të cilit janë shkatërrimi, apo degradimi i qindra objekteve monumentale të artit bizantin e pasbizantin, ikona, artifakte e objekte etnokulturore, fonde të tëra pikturash (madje edhe kontemporane), ka të bëjë së pari me ata që drejtojnë institucionet superiore administrative shtetërore, të cilët duke mos qenë vetë njerëz e specialistë kompetentë, as që i imagjinojnë këto probleme e jo më t’iu përgjigjen atyre me përgjegjësitë dhe mundësitë që ata disponojnë dhe kanë detyrim t’i ushtrojnë në funksion të mbrojtjes dhe transmetimit dinjitoz të trashëgimisë materiale kulturore. Gjatë këtyre 25 viteve të sistemit demokratik janë 13 apo më shumë ministra që kanë drejtuar Ministrinë e Kulturës…. Të gjithë këta, në fillim të punës së tyre kanë vizituar edhe këto qendra të rëndësishme kulturore e artistike, kanë bërë takime konsultative me drejtues, specialistë e punonjës, kanë mbajtur shënime për sugjerimet që vijnë nga baza e, së paku, kanë premtuar që “pjesa e luanit” do të plotësohet, do të bëhen reforma, do të ketë specializime, do të ketë investime në pjesën e teknologjive, pajisjeve e materialeve restauruese e konservuese, do të përmirësohet statusi i restauruesit, etj., etj…, por kjo gjë jo vetëm nuk ka ndodhur, por fatkeqësisht, vit pas viti gjendja përkeqësohet në kurriz të monumenteve duke rritur në mënyrë eksponenciale degradimin e tyre në natyrë e në fondet e vyera muzeore. Për 25 vjet 13 ministra, pra koha e shërbimit të një ministri është më pak se dy vjet. Pas zëvendësimit të tij, çdo gjë fillon nga zero dhe ky cikël është një qerthull e mbyllur, një rreth vicioz  më shumë politik sesa administrativ, ku drejtuesit e lartë më shumë ruhen të mbajnë vendin e tyre të punës sesa të hapin probleme që mund t’i vinin në pozita të vështira pune e impenjimi.

Edhe pse institucionet e ruajtjes dhe konservimit të trashëgimisë kulturore materiale kanë nevojë për një reformim të thellë, radikal, gjithëpërfshirës në shkallë kombëtare, e disa sprova janë bërë, por thuajse aspak në fushën globale të konservimit e restaurimit, ku këto procese të kishin kryefjalë “thelbin shkencor” të tyre. Madje çdo vit bëhen shkurtime në punonjës e fonde, nuk sugjerohen rrugë e mënyra financiare për t’u pajisur me teknologji, aparatura e materiale të reja, nuk bëhet asnjë observim, kontroll e supervizim i gjendjes së mjerueshme të laboratorëve e i rendimentit e cilësisë së tyre, nuk ka një vizion e startegji kombëtare se si do të evoluojë pozitivisht profesioni dhe shkenca e konservim-restaurimit. Shembulli më diskreditues për këtë sjellje është, mjerisht, mbyllja e laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrik në Tiranë, i cili ishte epiqendra e konvergimit të problemeve diagnostikuese e restauruese, një model i profesionalizmit dhe kërkimit shkencor. Merret me mend se ç’bëhet me qytetet e tjerë që pretendojnë se bëjnë punë konservuese-restauruese, shumë here sipëfaqësore, madje edhe të dëmshme ndaj veprave të artit. Po për 25 vite rresht Shqipëria nuk ka organizuar asnjë aktivitet kombëtar apo ndërkombëtar shkencor në fushën e restaurimit dhe konservimit, nuk ka botime të specializuara mbi këtë fushë, nuk ka kontakte me periodikët ndërkombëtarë shkencorë të restaurimit, nuk ka specializime, nuk ka pjesëmarrje në aktivitetet ndërkombëtare të ICOM, ICROM-it e organizatave rajonale të restaurimit, përveçse me ndonjë iniciative e shpenzime vetiake. Po e ilustroj me një shembull konkret se si Estonia, Lituania dhe Letonia, vende më të vogla se ne, çdo vit zhvillojnë në një prej vendeve respektive Konferencën Ndërkombëtare të Koservimit të vendeve Nordike, etj..Ndërkaq me ikonat tona, studiues e specialistë të huaj marrin pjesë në Konferenca Shkencore Ndrkombëtare, duke shpërfillur restauruesit tanë për shkak të performanceës së tyre aspak dinjitoze shkencore. Pra problemet e konservim-restaurimit në Shqipëri ndodhen në një kaos e prapambetje të plotë, gjë që përbën sinjalin SOS për trashëgiminë kulturore materiale, veçanërisht të atyre objekteve shekullorë në natyrë që kanë brenda tyre piktura murale e objekte të ekspozuara me përbërje organike që janë të ekspozuara ndaj degradimit klimaterik e entomologjik.

E bëra këtë parashtrim për të konkluduar se, midis të tjerash, është edhe ky këndvështrim, për të stigmatizuar termin antiprofesional “dezinfektim” i sallave ku ruhen objektet e artit, pas të cilit mbahen disa drejtues e specialistë si i mbytyri pas fijes së kashtës. Sikur fondet e muzeumeve të ishin moçale, WC, stalla, hangarë, apo magazina drithi të cilat duhet të dezinfektohen me insecticide kundër mushkonjave, merimangave, apo pesteve e minjve kobashë. Nuk ka se ku të vejë më keq, sidomos kur kjo fjalë artikulohet në gojën e të ashtuquajturve restaurues, menaxhues, apo drejtues institucionesh të larta shtetërore.

Më duhet të bëj një përshkrim të shkurtër se ku qëndron problemi real e si mund të zgjidhet ai, nëse mund të ketë vullnet të mirë e seriozitet profesional (pse jo edhe politik) duke filluar që nga institucionet më të larta shtetërore e deri aty në laboratorin e thjeshtë restaurues e tek drejtorët e specialistët që i menaxhojnë ato. Problemi i biodegradimit është një prej aspekteve më destruktivë të objeklteve muzeorë me përbërje organike (dru, tekstile, letër, lëkurë), ku vendin kryesor e zenë ikonat, ikonostasët, skulpturat prej druri, pikturat (kryesisht kornizat, paspalturat dhe telajot prej druri, objektet etnologjike-kryesisht kostumografia prej tekstili të leshtë e mëndafshi, librat e vjetër në fondet e bibliotekave, etj). Dhe ky dëmtim është i pakthyeshëm, irreversibël. Procesi i degradimit biologjik përbën kështu një prej shkaktarëve kryesorë të shkatërimit gradual të këtyre objekteve që nuk reflektohet në një vit të vetëm, por në mënyrë të pandërprerë për shkak të vjetërsisë së objekteve, të agjentëve klimaterikë si lagështia e temperaturat e papërshtatshme, dhe po aq nga pakujdesia dhe menaxhimi e përpunimi jo adekuat konservues i tyre në fondet e rezervatet e tyre në institucionet muzeore ku ato bëjnë pjesën më të madhe të fondeve. Koncepti “dezinfektim pranveror apo vjeshtor” i fondeve dhe sallave të ruajtjes së tyre nuk e zgjidh as 1% shpëtimin dhe të ardhmen e tyre. Fakti që fenomeni i biodegradimit është një aktivitet që zhvillohet e shfaqet gjatë muajve të ngrohtë dhe bëhet i dukshëm edhe në hapësirat e fondeve e që alarmon drejtuesit e restauruesit e institucioneve, në fakt e ka folenë e saj brenda objekteve, ku insektet, sidomos në fazën e larvës ushqehen me këtë lëndë organike të objektit. duke lënë pas galeri shkatërruese për strukturën e obkjektit deri sa shndrrohen në insekte të pjekur, të cilët më pas dalin nga objekti e fluturojnë në ajrin e hapësirave të fondeve, lëshojnë vezët e tyre të reja përsëri mbi objekte, jetojnë edhe për pak ditë e ngordhin, por duke lënë pas një dëmtim serioz brenda objekteve. Ky cikël përsëritet çdo vit, apo një herë në disa vjet në vartësi të ciklit jetësor të insekteve të ndryshëm.Nëse restauruesit apo konservuesit do të mjaftoheshin vetëm në të ashtuquajturin “dezinfektim” të fondeve, apo mjediseve ruajtëse, vetëm se do t’i bënin një shërbim antiprofesional e do të lejonin kështu “festën e përjetshme” të insekteve, ashtu si ka ndodhur e ndodh edhe sot. Nga ana tjetër zgjidhja përfundimtare e këtij aktiviteti destruktiv kërkon së pari që konservuesit dhe drejtuesit e instituciioneve të studiojnë e të jenë në kontakt me evolucionin teknologjik të elaborimit të këtij problemi, ndoshta më të rëndësishmin që lidhet me manipulimin teknologjik entomologjik të fondeve. Hartimi i studimit dhe projektit specifik për çdo institucion që posedon objekte të atakueshëm biologjikisht edhe pse përbën një proces kompleks, me dijeni e përvojë kontemporane, kërkon urgjentisht një angazhim të specialistëve e profesionistëve më të mirë, por edhe mbështetje logjistike e financiare nga institucionet shtetërore prej nga ata varen. Nëse nuk krijohet ky binom institucional që do të mundësojë rikonstruksionin teknologjik të konservimit kundër biodegradimit, gjë që kam dyshim të thellë, por pa bërë Kasandrën, “dezinfektimet pranverore apo vjeshtore” do të mbeten si” kallai mbi gunë”, inefiçente, pa asnjë rezultat. Druaj se kjo nuk mund të realizohet edhe për një fakt tjetër që nuk dua të mos e përmend. Edhe projekti dhe ndërtimi i Muzeut të ri të Artit Mesjetar, që është duke u realizuar, përballet me dhjetra gabime e përjashtime teknologjike edhe në këtë fushë, pasi në proceset e projektimit dhe zbatimit të tij nuk janë aktivizuar specialistët muzeologë e teknologë, që për fat të mirë i kemi ende, ndonëse me gishta, e megjithatë askush nga administruesit minorë e superiorë shtetërorë nuk i aktivizon, duke krijuar një precedent unikal negativ edhe në problemin e trajtuar në këtë shkrim dhe në predispozitën që edhe ky muze i ri me vulën e vitit 2015 të jetë i pasuksesshëm.

Sidoqoftë, duke iu drejtuar së pari të gjithë kolegëve restaurues e konservues, si edhe të gjitha institucioneve shtetërore të linjës që kanë detyrim e përgjegjësi kombëtare për ruajtjen dhe përcjelljen në breza të trashëgimisë kulturore materiale me detyrimin tim profesional, intelektual e qytetar do t’ju bëja një thirrje profesionale ta konsiderojnë këtë aspekt të punës koservuese si deçizive dhe t’i shtrohen punës për zgjidhjen sa më parë e një herë e mirë të saj. Dhe përvoja nuk mungon. Jo nga shteti, por nga një iniciativë personale dhe pa investime mnga shteti,  metoda praktike e “konservimit antibiodegradues” dhe jo e “dezinfektimit” është një proces relativisht i zgidhur në Muzeun e Artit Mesjetar, Korçë me anë të teknologjisë të përpunimit masiv të objekteve me “gaze inertë”, e cila është edhe metoda më bashkëkohore që përfaqëson një linjë teknologjke, apo një “impiant” të automatizuar dhe disa aksesorëve ambientalë që shoqërojnë atë. Vetëm angazhimi serioz i restauratorëve e marrja përsipër nga Drejtoria e Muzeve në Ministrinë e Kulturës mund ta zgjidhnin një herë e përgjithmonë këtë problem që përcakton jetëgjatësinë e kësaj trashëgimie të paçmuar materiale.Përndryshe “dezinfektimi” u duhet bërë trurit të drejtuesve e specialistëve të papërgjegjshëm që nuk e përfillin shkencërisht këtë problem.

*Autori i shkrimit është përgjegjës i laboratorëve të konservimit dhe studiues në fushën e entomologjisë biodegraduese të objekteve muzeore prej më se 30 vjetësh 

SHKARKO APP