Alarmohet Garda, tre helikopterë flututojnë mbi vilën e kryeministrit Rama

 

Tre helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes, alarmuan mbrëmjen e së premtes Gardën e Republikës, efektivët e të cilës po ruanin vilën e kryeministrit në fshatin Surrel të kryeqytetit.

Garda e Republikës ka instaluar mbi vilën e kryeministrit disa sensor që dallojnë objektet në ajër, të njëjta me ato që janë vendosur edhe në institucionet e rëndësisë së veçantë.

Pas alarmit të ndezur nga këto sensor, efektivët e Gardës së Republikës që po ruanin vilën e kryeministrit në Surrel, kanë pikasur disa drita të kuqe sipër shtëpisë së kryeministrit dhe një zhurmë që nuk ngjante si helika helikopteri.

Ata kanë njoftuar eprorët, duke dyshuar për disa dron që fluturonin në distancë sipër vilës së kryeministrit. Të ndodhur në këto kushte garda ka përforcuar shërbimin duke njoftuar edhe efektivët e Komisariatit të 4 pasi dyshohej se mjetet fluturuese po vazhdojnë fluturimin sipër vilës së kryeministrit.

Por në kohën kur po tentohej të qëllohej me armë drejt këtyre objekteve fluturuese, policia ka marr lajmin se janë helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes të cilët ishin ngritur natën për stërvitje.

Sipas mbrojtjes, pilotët e repartit të helikopterëve në Zall Her, me ndihmën e pilotëve francezë kanë kryer mbrëmjen e së premtes disa fluturime me 3 helikopterët e rinj. Sipas ministrisë, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar pasi stërvitja është kryer për fluturimet natën, për të mësuar pilotët shqiptar në udhëtime në errësirë.

Por, siç duket, edhe nga lajmet tronditëse që vinin mbrëmë nga Parisi, ka bërë që Garda e Republikës dhe policia të vihen për disa minuta në alarm. 

SHKARKO APP