Albana Vokshi: Gjykata si zyrë noterie e Edi Ramës
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama, ndërsa theksoi se me të është në një proces gjyqësor, për të cilën nuk po lejon sipas saj që të administrohen prova.
Sipas Vokshit, gjykata refuzon të marrë prova sesi Rama ka abuzuar me kontratën korruptive të Check up-i me vlerë 120 milionë euro. Sipas demokrates, në seancën e sotme, gjyqtari rrëzoi çdo kërkesë të ligjshme për marrjen e këtyre provave, duke cënuar rëndë parimin e barazisë së armëve në procesin gjyqësor.
REAGIMI I VOKSHIT
Nën presionin e vettingut politik, kryeministri në ikje ka vendosur nën kontroll gjykatat, te cilat janë kthyer në noterë të interesit personal të Edi Ramës. Në vend që të mbrojë interesin publik dhe të vërë Ramën para përgjegjësisë per vjedhjen skandaloze me koncesionet, gjykata refuzon të marrë prova sesi Edi Rama ka abuzuar me kontratën korruptive të Check up-it.
Për denoncimin e aferës 120 milionë euro, jam në gjyq me Edi Ramën, por ai po ndalon gjykatën që të administrojë prova. Janë prova fare të thjeshta për t’u administruar, janë dokumente shtetërorë që qeveria refuzon t’i bëjë publike, pasi zbulojnë gjithë skemën korruptive që vjedh shqiptarët me koncesionin e Check Up-it.
Në seancën e sotme, gjyqtari rrëzoi çdo kërkesë të ligjshme për marrjen e këtyre provave, duke cënuar rëndë parimin e barazisë së armëve në procesin gjyqësor.
Check up-i është kontrata më e madhe e vjedhjes në shëndetësi, por gjykata ndalon të merren prova për të treguar se kryeministri është në shërbim të financueses së fushatës së Partisë Socialiste, Vilma Nushi.
Kërkesat e mia, të refuzuara nga gjykata, me urdhër të Edi Ramës, janë krejt elementare.
1. Edi Rama të kryejë testin e drogës – e ka refuzuar katër herë;
2. Institucionet të na vendosin në dispozicion Kontratën e Check Up, si dhe dokumentacionin e plotë të procedurës së tenderimit;
3. Te na vendoset ne dispozicion lista e personave që kanë bërë Check Up për të vërtetuar që ka edhe persona të vdekur, si dhe emra fiktive në listat e manipuluara.
Aq frikë ka nga e vërteta Edi Rama, sa kërkon që edhe mbrojtjen time ta bëjë ai. Sot, Edi Rama mund të arrijë të kontrollojë gjykatësit ë frikësuar, por nuk do t’ia dalë asnjëherë të më ndalojë mua dhe PD të denoncojmë aktet e tij korruptive, që fusin duart në xhepin e qytetarëve dhe na degradojnë më tej sistemin shëndetësor.