Albin Kurti në mbledhjen e VETËVENDOSJE: Le të punojmë që të fitojmë

Nga fjala e Albin Kurtit në Mbledhjen LVI të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Pas tri vite e gjysmë qeverisje jemi krenarë me të arriturat dhe sukseset e shumta. Kosova sot është shumë më mirë se ç’e gjetëm në pranverën e vitit 2021 dhe njëkohësisht është në rrugë të mbarë për zhvillim të gjithanshëm e për përparim të vazhdueshëm. Jemi zotuar për “Punësim dhe Drejtësi”, këtë bëmë dhe po e bëjmë për çdo ditë me krejt çfarë dimë e mundemi, secili e secila, të gjithë së bashku. Kjo vjeshtë andaj e gjen Kosovën me 425 mijë të punësuar, ndërkaq kur filluam të qeverisim, Kosova kishte 350 mijë të punësuar. Këta 75 mijë të punësuar më shumë për tre vjet e gjysmë nuk do të mbërriheshin pa u rritur ekonomia dhe pa shpërndarjen që kemi bërë, në fusha të ndryshme, por gjithnjë me qëllimin e njëjtë: t’i përkrahim njerëzit për jetesë sa më të mirë, për të drejtat tyre, për mirëqenien e tyre.
Në njërën anë, ekonomia e vendit tonë, përkatësisht bruto produkti vendor, është rritur për 33% me qeverisjen tonë, ndërkaq buxheti i shtetit për 35%. Të hyrat tatimore sivjet janë gati 40% më të larta sesa në vitin 2021, pra kur krahasohemi me veten tonë, jo me ata që ishin para nesh. Eksportet janë dyfishuar kurse investimet e huaja më shumë se dyfishuar. Në anën tjetër, kemi shpërndarë rreth 1.3 miliard euro te qytetarët dhe bizneset përmes masave të shumta pa krijuar borxhe të reja, me ç’rast Banka Botërore ka konstatuar që Kosova kishte pakon mbështetëse më të madhe në Ballkan për përballje me inflacionin dhe krizën energjetike si përqindje e BPV-së. Po ashtu, e kemi rritur dy herë pagën minimale – para dy vjetësh në 264 euro nga 170 (apo 130 euro) sa ishte, dhe tash së fundmi në 350 euro.
Kjo rritje ekonomike dhe ky zhvillim social i Kosovës nuk është bërë në kurriz të demokracisë, të sundimit të ligjit apo të të drejtave të njeriut. Përkundrazi, Freedom House, World Justice Project, Transparency International, V-Dem Institute etj. kanë raportuar për Kosovën si kampion ballkanik për ngritjen në të drejta politike, liri civile, rend e ligj, luftim korrupsioni e zgjedhje të lira.
Më tej, ky progres demokratik, nuk është realizuar sepse Serbia na la të qetë, pasi që ne ju nënshtruam asaj duke ia marrë Listën Serbe në koalicion, duke ia dhënë ‘Zajednicën’ apo duke ia premtuar veriun e Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial, siç patën bërë pararendësit tanë në ekzekutiv. Përkundrazi, kërcënimet më të mëdha të sigurisë, tentimet më të rënda për destabilizim, i kishim pikërisht ne, mu kjo rritje ekonomike dhe ky përparim demokratik. Barrikadat, dorëheqjet kolektive dhe sulmet e dhunshme në veri për të shkaktuar vakum ose kaos e zgjerim të konfliktit, që të gjitha dështuan. Andaj, pas tri viteve e gjysmë, themi me krenari se patëm edhe rritje ekonomike, edhe progres demokratik, edhe siguri për të gjithë.
Progresi ynë dhe qëndrueshmëria e këtij progresi janë të pashembullt në Kosovën e pasluftës. Më lejoni t’ju falënderoj juve delegatë, aktivistë e anëtarë, ministra e deputetë, zëvendësministra e këshilltarë, për punën e angazhimin që bëni, përkundër vështirësive e pengesave, për rolin që mbani e kontributin që jepni, përkundër shpifjeve e gënjeshtrave. Nuk e keni të lehtë, por, pa mundimet që keni hequr e po hiqni, të gjithë e dimë se nuk do të kaliteshit për betejat që i fituam dhe për ato që na presin.
Në veçanti, dua të shpreh mirënjohjen time sot për këto vite bashkëpunimi me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani Sadriu e me kryetarin e Kuvendit të Republikës, Glauk Konjufca, me partinë GUXO dhe Alternativën, për Donika Gërvallën dhe Mimoza Kusarin, duke thënë që ne mbështetemi te njëri-tjetri, sepse populli mbështetet në ne e ne tek ai. Me GUXO dhe me Alternativën do të jemi bashkë në koalicion, ashtu siç kemi qenë bashkë në fushatë, bashkë në fitore, bashkë në qeverisje, së bashku sërish në një listë, për zgjedhjet e ardhshme. E para qytetarëve jemi sepse mbetemi ballhapur e të gëzuar si askush tjetër para nesh e nuk po mund të them pas nesh, sepse do të fitojmë sërish më 9 shkurt.
Të nderuar drejtues të qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ky është një moment i rëndësishëm për përgatitjet tona organizative.
Në këtë kohë, kur duhet ta përdorim momentumin tonë të bashkuar për punë dhe drejtësi, mobilizimi i strukturave, aktivistëve, anëtarëve dhe mbështetësve tanë, është detyrë parësore e jona organizative, andaj edhe e kemi organizuar këtë Këshill të Përgjithshëm të zgjeruar, Konventën tonë, të cilën, siç e dini tashmë, e kemi organizuar të zgjeruar me panele të tematikave kyçe të aktivizmit dhe të qeverisjes sonë.
Në këtë konventë synojmë të bashkërendohemi në diskutime të thelluara për të gjetur zgjidhje konkrete edhe për ato probleme të cilat ende nuk i kemi zgjidhur e i kemi identifikuar gjatë qeverisjes sonë, në mënyrë që ato zgjidhje ideore t’i përkthejmë në strategji të qartë të programit tonë të ardhshëm të Lëvizjes.
Duhet të pajtohemi që puna jonë e aktivizmit politik duhet të shtrihet në pikat tona anembanë vendit, në lagje e fshatra, në organizimet e komuniteteve të çfarëdollojshme qofshin ato. Lëvizja jonë duhet të jetë aty. Siç e kemi thënë dhe jemi pajtuar ngahera, aty ku njerëzit janë tubë, apo ka tuba njerëzish, aktivisti i VETËVENDOSJE!-s shkon dhe mban tubim të Lëvizjes.
Duhet të jemi të vetëdijshëm që ne duhet të luftojmë për çdo votë besimi të qytetarit dhe t’i bindim ata që ne jemi të përkushtuar për të vazhduar rrugën tonë të ndryshimit që e kemi nisur, të mirëqeverisjes, të transformimit rrënjësor të mirëqenies së qytetarit. Njëmend, shumica dërmuese e popullsisë vazhdon të na mbështesë, së paku sa në pranverën e vitit 2021, e mbase edhe më shumë se aq. Por për zgjedhjet e ardhshme që të gjithë fillojmë nga vija që shënjon numrin zero. Që të gjithë duhet të punojmë që t’i mbledhim ato vota që i afrohen gjysmë milioni votave. Andaj, le të mos llogarisim që në zgjedhjet e ardhshme i kemi ato 438 mijë vota të 14 Shkurtit 2021 dhe tash do të orvatemi të punojmë vetëm për ta rritur atë shifër. Të gjitha subjektet politike fillojnë nga niveli zero. Ne duhet ta mbërrijmë atë që kemi arritur dhe ta tejkalojmë sepse na nevojitet shumica e qëndrueshme për vazhdimin e reformave të vendit.
Ne duhet të jemi po ashtu të vëmendshëm që këtë mbështetje masive që po e gëzon aktualisht Qeveria e Kosovës nga qytetarët, e do të thotë pashmangshëm edhe Lëvizja VETËVENDOSJE! si drejtuese e saj, do të tentohet, siç edhe janë duke tentuar, që ta zbehin e minimizojnë përmes formave nga më të ndryshmet, e më së shumti e më së shpeshti, përmes fushatave të ndryshme të shpifjeve, të pavërtetave dhe të nxitjeve dashakeqe. Pavarësisht këtyre përpjekjeve për të shtrembëruar të vërtetat e për ta zbehur punën e qeverisë, të cilat janë të shumta në numër e të gjera për nga ndikimi në popull, qytetarët megjithëkëto po e lexojnë drejt situatën. Sepse populli po i përjeton në përditshmëri ndryshimet e gjithëmbarshme pozitive e progresiste që po shënon Republika jonë. Këtyre tendencave e përpjekjeve për manipulim, ne i kundërpërgjigjemi më së miri me punë, me angazhim dhe i ballafaqojmë më së miri me mobilizim e aktivizim.
Nesër, më 6 tetor, mbushen pesë vjet prej se fituam për herë të parë në zgjedhje. Ndërkohë, nga java e ardhshme na ndajnë katër muaj, nga fitorja e tretë të cilën do ta shënojmë më 9 shkurt 2025. Kjo do të jetë një fitore edhe më e lartë, e më e thellë, më e madhe e më e gjerë sesa në vitin 2021, sepse tani, përveç vullnetit e dëshirës, e kemi edhe përvojën e jashtëzakonshme se çka i nevojitet më së shumti qytetarit të Republikës dhe sa shpejt i nevojiten ato gjëra.
Si urë lidhëse për mobilizim kundrejt atyre padrejtësive që do të intensifikohen në këtë rrugëtimin tonë drejt fitores së radhës në shkurt të vitit të ardhshëm, organizata jonë, për të njëjtin qëllim, është padyshim ura lidhëse edhe për informim edhe për komunikim. Veç të tjerash, për punët e shumta të cilat e kanë prekur drejtpërdrejtë qytetarin. Punët dhe rezultatet që kemi treguar, padyshim që jetohen e përjetohen, por në të njëjtën kohë, ato duhet edhe të tregohen e të afirmohen. Për të qenë përditësuesi, duhet të jesh i përditësuar. Andaj është detyrë e rëndësishme e secilës aktiviste dhe secilit aktivist, që të jetë në ngjarje në kohë reale, për secilin zhvillim, për secilën të arritur, e për secilën sfidë. Në këtë drejtim, qytetari është shumë afër nesh, gjë e cila e shton përgjegjësinë tonë karshi atyre si burim sovraniteti dhe vetë neve, si udhëheqës shteti.
Strukturat tona, në tre nivelet organizative, i kanë mbi 60.700 anëtarë dhe ato duhet të jenë të gatshme në plotni për proceset politike që i kemi përpara. Fushata për zgjedhjet qendrore dhe ajo për zgjedhjet lokale, që do të pasojë pas disa muajsh në vitin e ardhshëm siç e dimë, janë dy sfidat tona të pashmangshme që i kemi përpara e për të cilat kemi nevojë për komunikim e bashkërendim maksimal.
Në secilin vendbanim, apo thënë më saktë, në çdo vendvotim, kudo në vendin tonë, Qeveria e Republikës së Kosovës, garanton KQZ-në për mbarëvajtje të procesit. Si ekzekutiv i Republikës, ne do të jemi në ballë të infrastrukturës për lirinë e zgjedhjes. Por, për fitoren në zgjedhje, padyshim që rolin kryesor e ka organizata e Lëvizjes, e cila duhet ta ketë databazën e strukturuar me njerëzit përgjegjës për organizimet tona, ashtu që, zgjedhja e lirë të bëhet fitore e demokracisë, fitore e ndryshimeve që kanë nisur e që bëhen edhe më të mëdha në të ardhmen.
Nuk është mirë që për zona të caktuara, qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në një komunë të caktuar, ta ketë arsyetimin se “atje nuk bëhet meqë nuk e njohim askënd”. Ky arsyetim do të mund të ishte deri diku i qëndrueshëm mbase para një dekade, por jo tani kur qeveria e Lëvizja janë të pranishme në përditshmërinë e njerëzve përmes punëve të shumta që kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në përmirësimin e mirëqenies së qytetarit.
Strukturat drejtuese në qendra, nëse nuk e kanë filluar deri më tani, duhet që sa më parë të fillojnë e të përmbyllin takimet mobilizuese e përgatitore me pika e me grupe punuese, aty ku nuk janë të formalizuara në pika, pra në secilin lokalitet, përkatësisht, vendvotim. Duhet të përmbyllim kapitullin e takimeve tona mes njëri-tjetrit, për të filluar sa më parë e sa më shumë takime në popull. Pra, krahas përgatitjeve që vazhdojnë, fillojnë e vazhdojnë takimet tona me qytetarët. Ato janë më të rëndësishme dhe si të tilla duhet të trajtohen.
Si dy kategoritë më të rëndësishme në shoqërinë tonë, ashtu edhe në organizimin tonë, rinia dhe gratë e vajzat, duhet të jenë pjesë e pandashme e punës dhe bashkërendimit të aktiviteteve nëpër qendra. Gruaja për VETËVENDOSJE! dhe Rinia për VETËVENDOSJE! të strukturuara dhe të mirëpërgatitura në një qendër, do të thotë lehtësi e jashtëzakonshme në secilin organizim dhe rezultat i padiskutueshëm në secilën betejë e garë politike.
GVV është e etabluar dhe e konsoliduar brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!, aq shpejt saqë të them të drejtën, më shpejt sesa e kemi pritur ne. Për mendimin tim, kjo nuk i takon rastësisë, por ka shpjegim, dhe, padyshim që shpjegimi kryesor është që vajzat dhe gratë aktiviste janë punëtore aq të mëdha, saqë me shpejtësi e kanë rritur dhe e kanë fuqizuar organizatën e tyre, Gratë për VETËVENDOSJE!.
GVV është shndërruar në një organizatë dinamike me aktivitete të shumta në terren që mobilizon gratë dhe vajzat si asnjëherë më parë. Politikat e qeverisë që i kanë fuqizuar gratë, kanë bërë që përkrahja e grave për Lëvizjen VETËVENDOSJE! të rritet. Në zgjedhjet e fundit ne u mbështetëm në mënyrë masive nga gratë, e në qeveri ne u angazhuam e po angazhohemi maksimalisht për to. Prandaj, ne sot themi: Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrah grave, gratë përkrah Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Kjo do të vazhdojë me bindjen që në zgjedhjet që i kemi përpara do të jemi bashkë, e kështu do të lëvizim më shpejt drejt fitoreve të reja e gjithsesi të përbashkëta.
Po aq aktive në punën e saj ka qenë edhe Rinia për VETËVENDOSJE!, e cila gjatë këtyre viteve të funksionimit të saj, si organizatë e ndërvarur e të rinjve të Lëvizjes, ka realizuar mbi 40 aktivitete, përfshirë konferenca të rëndësishme, nga ajo e Anamoravës në vitin 2023, te sivjet konferenca ndërkombëtare Ballkani Perëndimor 6, Rinia për socialdemokraci, me pjesëmarrës nga 15 vende dhe mbi 300 të rinj nga Ballkani Perëndimor. Organizata numëron mbi 18 mijë anëtarë, por angazhimi që kërkon konsolidim dhe funksionalizim të strukturave të RVV-së, duhet të vazhdojë.
RVV këtë vit ka arritur anëtarësimin në Young European Socialist si dhe ka sjellë në Kosovë për herë të parë organizatën më të madhe të të rinjve social-demokrat, International Union of Socialist Youth, duke organizuar eventin Balkan Roundtable 2024 apo Tryeza e Rrumbullakët e Ballkanit 2024. Aktualisht RVV-ja është në prag të anëtarësimit zyrtar edhe në Unionin Ndërkombëtar të të Rinjve Socialist. Një hap i rëndësishëm për fuqizimin e rolit të rinisë sonë në skenën dhe arenën ndërkombëtare. Në procesin zgjedhor që po afrohemi, Rinia për VETËVENDOSJE!, duhet të jetë më shumë e mobilizuar sepse roli i rinisë është tejet i rëndësishëm për nisjen e ndryshimeve, siç na e mëson rregullisht historia. Dhe meqenëse qeverisja jonë ishte më jetëgjata prej se e kemi shpallur pavarësinë, edhe numri i të rinjve të cilët do të votojnë për herë të parë, është më i madhi ndonjëherë: në vitet 2021, 2022, 2023, 2024, e madje edhe 2025, në janar e deri më 9 shkurt, do të ketë shumë të tillë që i bëjnë 18 vjeç dhe që fitojnë të drejtën e votës. Me energjinë, idetë e reja dhe gatishmërinë, Rinia për VETËVENDOSJE! duhet jo vetëm t’i artikulojë kërkesat e gjeneratës së re, por edhe t’i përkthejë ato në veprime konkrete. Duke u organizuar me vendosmëri në çdo cep të vendit, Rinia për VETËVENDOSJE!, do të jetë fjala që frymëzon ndryshimin, zëri që përçon shpresë e drejtësi për çdo qytetar, dhe forca që garanton fitoren historike të Lëvizjes sonë.
Zgjedhjet qendrore nuk mund t’i shohim ndryshe përveçse të ndërlidhura me ato lokale. Se sa e fuqishme do të jetë Lëvizja VETËVENDOSJE! në zgjedhjet lokale, do të na e dëshmojnë gjithsesi niveli i mobilizimit dhe organizimit në zgjedhjet qendrore, të cilat i paraprijnë atyre të komunave. Në shtabet tona lokale, secili nga ne që marrim përgjegjësi për detyra e obligime është me rëndësi që të jemi të përpiktë, të disiplinuar e plot vullnet për punë. Departamentet e Votës, ato të organizimit, të mediave të komunikimit si dhe departamentet thelbësore të organizimit të shtabeve tona lokale, janë tejet të rëndësishme për organizimin e fushatës sonë zgjedhore. Si rrjedhojë, është me rëndësi që të jemi të përgjegjshëm në marrjen dhe në delegimin e detyrave. Nuk bën të ketë as shkapërderdhje të detyrave por as centralizim të tyre. Përgjegjësi në marrje dhe delegim të detyrave në secilin nivel organizativ, në secilin organ të VETËVENDOSJE!-s, nga çdo aktivist dhe aktiviste të Lëvizjes.
Vendimet e shumicës në rastet kur kemi dilema për ndonjë proces të caktuar, duhet të mësojmë që janë vendime që do të jenë më të qëndrueshme. Kudo, në secilën qendër: kudo, për secilën komunë. Respektimi i vendimeve të shumicës, evitimi i hatërmbetjeve që aty-këtu për dikë mund të duken të rëndësishme por, në thelb potencialisht mund të jenë të panevojshme, janë hapa të padiskutueshëm që të rrisim unitetin, dhe t’i shtojmë qëndrueshmëri organizatës sonë.
Sakaq flasim për organizimin tonë, më duhet t’ju siguroj se si qeveri, jemi më të përgatitur se kurrë meqenëse jemi krenarë kur flasim, bashkëbisedojmë, shfaqemi, dëgjojmë qytetarët, përmes punëve të shumta që kemi bërë e duke mos pasur asnjë shkelje qeverisëse, për asnjë ditë qeverisëse, për këto tri vite e gjysmë.
Si Organizatë duhet të jemi të përgatitur që të kanalizojmë rezultatet e të shërbejmë si infrastrukturë përmes së cilës populli vendos dhe vullneti i tyre ,që është i shenjtë, edhe mbrohet edhe nuk shtrembërohet.
Këtë sentiment të harmonisë së brendshme ndërmjet qeverisë dhe organizatës duhet ta ndajnë edhe ministrat, zëvendësministrat, kryetarët e qendrave, pikave, sekretarët e të gjithë ata që janë ngarkuar me përgjegjësi udhëheqëse brenda Lëvizjes sonë e qeverisë sonë. Duhet të kuptojmë që gara me njëri-tjetrin është produkt i ndasive që i nxitin të tjerët. Ajo nuk na shërben neve dhe nuk i shërben qytetarëve. Stoikët e kanë vënë re qysh në kohërat antike që gara e vetme që duhet ta kemi është ajo me vetveten, natyrisht vetëm nëse përmirësimi dhe progresi janë qëllimet tona. Një perandor romak Mark Aureli, stoik i kanonizuar përmes meditimeve të tij të lëna pas si shënime, kishte thënë se i gjithë zgjoi vuan kur madje vetëm edhe një bletë është e sëmurë, e po ashtu i gjithë zgjoi lulëzon vetëm atëherë kur të gjitha bletët janë mirë. Mbase këtu kemi se çfarë të mësojmë nga Mark Aureli, i cili meditimet e tij historike i zhvilloi si udhërrëfyes për vetveten. Sa ishte në pushtet, ai i pa të mirat e të këqijat e saj, dhe anipse Roma antike mund të duket shumë e largët në kohë, natyra njerëzore,e posaçërisht në relacion me pushtetin, mbase nuk ka ndryshuar aq.
Përpos që nuk duhet të kemi garë, rivalitet, me njëri-tjetrin, po ashtu duhet të kemi bashkëpunim, mirëkuptim, mirëdashje, sepse përndryshe i gjithë zinxhiri i organizatës sonë mund të pësojë. Garën me njëri-tjetrin duhet ta ruajmë për zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Për zgjedhjet parlamentare ose ato lokale, duhet ta kemi bashkëpunimin, bashkërendimin, përkrahjen, mbështetjen, ndihmën, që ia japim të pakursyer, pa rezervë, njëri-tjetrit. Fundja, të gjithë e kemi synimin e njëjtë, e kauzat që na bashkojnë janë më të shumta se çfarëdo trivaliteti që mund të na ndajë.
Kur flas për kauzat nuk e parashoh një koncept të mjegullt si grumbull premtimesh që i bëhen qytetarëve. Në fakt, e gjithë historia e Lëvizjes ka të bëjë me fuzionimin e një lëvizje politike me organizatën e sotme që e kemi dhe anasjelltas ndërveprimi i kësaj organizate me vizionin tonë qeverisës. Pra, janë kauzat e prekshme për bashkim, drejtësi dhe mirëqenie, që jemi munduar t’i zbatojmë në mandatin tonë qeverisës, artikulimi i të cilave ka histori të gjatë. Prej kësaj ndërlidhjeje duhet të kuptojmë që edhe zinxhiri i bashkërendimit të punës është mjaft i gjatë dhe natyrshëm që përgjegjësia për veprim duhet të rëndojë shumë te gjithsecili aktivist në Organizatë, në Qeveri e në Kuvend.
Andaj, të njëjtin mesazh për pikëvështrim më duhet ta përçoj edhe për deputetët tanë të legjislaturës aktuale. Mes gjithë punës, kalimit të ligjeve, në trajtimin e përpiktë të lëndëve në komisionet përkatëse, ka pasur nganjëherë edhe mospajtime e ngecje, të koncentruara, më shumë te disa. Ia kemi borxh qytetarit që ta pranojmë atëherë kur bashkëpunimi nuk ka funksionuar dhe idetë nuk na kanë bashkuar. Shpresojmë që kandidatët e ardhshëm, ta lexojnë situatën mirë e të vetëdijësohen për përgjegjësinë që e kërkojnë para se t’i futen garës. Së pari, besnikëria jonë i takon qytetarëve të cilët na votojnë; dhe, së dyti, po ashtu edhe parimeve e kauzës politike të cilën e ndajmë me bashkëaktivistët politikë, me të cilët futemi në garë bashkërisht përmes programit dhe vizionit qeverisës që do t’ia parashtrojmë qytetarit.
Përderisa mendimi e qëndrimi e fjala e deputetit është e lirë, që të gjithë deputetët në Lëvizjen VETËVENDOSJE! që ishin kandidatë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nuk ishin deputetë të pavarur, ishin deputetë të varur nga patriotizmi, nga dëshira e zjarrtë për drejtësi, për barazi, e për zhvillim, që formë politike e ka organizatën tonë, subjektin tonë politik. E nëse nuk ka koherencë mes këtyre dy poleve, atëherë ambicia për të qenë i deleguar i qytetarit, unë besoj që patjetër duhet të vihet në pikëpyetje. Nuk mund të fitosh me një mënyrë, derisa të realizosh një qëllim të përbashkët për ta degraduar atë në synim individual, duke braktisur mënyrën me të cilën ke arritur. Transformime të këtilla duhet të kritikohen e të problematizohen në organizatën tonë. Por para se të bëhen të gjitha këto bashkëbisedime ndërorganizative, mendoj që një reflektim stoik i brendshëm tek gjithsecili prej nesh, është jo veç se i mirëpritur, por besoj i domosdoshëm. Nuk mund të jemi të sinqertë me qytetarin, nëse së pari nuk jemi të sinqertë me vetveten. Duke u përpjekur ta mashtrojmë tjetrin, mashtrojmë veçse vetveten. Sepse të tjerët do ta kuptojnë, e personi që përpiqet të mashtrojë do të mundet vetëm të vuajë teksa e kupton i fundit mashtrimin që ia ka bërë vetes.
Të nderuar delegatë,
Nga Qeveria për familjet te Superpuna, nga shtesat për 60 mijë lehona e 410 mijë fëmijë te subvencionimi i faturave të energjisë për 208 mijë familje; nga ankandet për parqe solare dhe turbina për energji nga era te bateritë akumuluese nga MCC amerikane dhe efiçienca e energjisë; nga mbulimi 100% i zonave të banuara me internet të shpejtë te 182 shërbime online te platforma e-Kosova; nga rritja e subvencioneve në bujqësi për 120% (ku për disa kultura si p.sh gruri arrin në 275%) te pyllëzimi me 1.5 milion fidanë; nga shlyerja e borxheve të trashëguara dhe zvogëlimi i faturave të papaguara te fitoret e avokaturës shtetërore në arbitrazhe ndërkombëtare; nga rritja e buxhetit për shëndetësi për 50% e për listën e barnave esenciale për 150% te renovimi modern i klinikave dhe pagat më të larta në rajon për specialistët mjekësorë; nga arsimi i lartë publik falas dhe mbi 10 mijë bursa për studentë te arsimi dual me 12 profile, në 23 shkolla profesionale në 14 komuna me mbi 1500 nxënës; nga rikthimi i agjencisë së Kosovës për Akreditim në ENQA dhe anëtarësimi në “Horizon Europe” te 500 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta; nga tregu i përbashkët energjetik me Shqipërinë (ALPEX) te marrëveshja për hekurudhën Prishtinë-Durrës; nga dyfishimi i buxhetit për ushtri dhe shtimi i afër 2.500 ushtarëve të rinj të Forcave të Sigurisë së Kosovës te blerja e dronëve Bayraktar nga Turqia dhe sistemit anti-tank Javelin nga ShBA-të; nga garantimi i kredive për mbi një mijë biznese te promovimi i produkteve tona në 41 panaire ndërkombëtare; nga rritja e madhe e numrit dhe hapësirave të parqeve industriale te shtimi 30-fish i rezervës shtetërore; nga ndërtimi i dhjetëra shtëpive dhe dhjetëra kilometrave rrugë në veri te hapja e zyrave të shtetit për shërbime publike dhe e bizneseve private për mallra të mjaftueshme dhe cilësore; nga mbyllja e 35 rrugëve ilegale nga të cilat 27 në veri të vendit te shkatërrimi i 16 laboratorëve të drogës dhe 6 të kriptovalutave; nga 4 depo të armatimit të konfiskuara dhe 9 stacione policore të reja përgjatë kufirit te fitorja e betejës në Banjskë pas rënies heroike të Afrim Bunjakut dhe tash mbi 1.700 kadetë të rinj policorë; nga katërfishimi i buxhetit për trashëgimi kulturore krahasuar me 2019 te mbi 100 asete të restauruara; nga zbulimi i mbishkrimit te Justiana Secunda në Ulpianë që dëshmon për lidhjen direkte me Dardaninë antike te lokaliteti arkeologjik në Prizren që dëshmon se ky qytet është tetë shekuj më i vjetër seç kemi pandehur; nga “Kosova – Shtet i Xhudos” te organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030; nga “Arti në Shkolla” dhe “Sporti në Shkolla” te institucioni i Operës dhe sjellja në skenë e “La Traviata” të Giuseppe Verdit; nga trefishi i buxhetit për sportin drejt renovimit e ndërtimit të stadiumeve; nga lansimi i masës së veçantë për punësimin e 2 mijë qytetarëve në katër komunat veriore te verifikimi i diplomave të universitetit në veri të Mitrovicës dhe shkollave të mesme atje në mënyrë që t’ju mundësohet qasje në tregun e punës; nga mbulimi i policës kufitare për diasporën dhe dritarja për investime të tyre te programi për diplomaci qytetare dhe mundësimi i votimit në ambasada e konsullata; nga 100 mijë euro që i ndanë dikur dy qeveri bashkë për maternitet në Preshevë te 3 milionë euro buxhet nga qeveria e Kosovës dhe bursa për studentë e kuota për specializantë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci; nga zvogëlimi për 1/3 i borxheve për shpronësime te 195 milionë euro më shumë buxhet për komunat; nga përfundimi i 75% të punimeve në autostradën e Gjilanit te punimet intenzive në rrugët Prishtinë-Podujevë dhe Prishtinë-Mitrovicë; nga fillimi i punimeve në rrugën Prizren-Tetovë te marrëveshjet e bashkëpunimit me Malin e Zi për rrugët Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë; nga miratimi i ligjit për byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme te mundësimi i gjykimit në mungesë për krimet e kryera gjatë luftës; nga Instituti për krimet e kryera gjatë Luftës te miratimi i Strategjisë për Drejtësi Tranzicionale; nga themelimi dhe funksionalizimi i Gjykatës Komerciale tek themelimi i Gjykatës Administrative; nga liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në 10 organizata ndërkombëtare te blerja e objekteve për pesë ambasada; për të gjitha këto dhe shumë të tjera, zotime të realizuara dhe realizime të papremtuara, do të bashkëbisedoni me ministrat e linjave përkatëse në panele të veçanta sot dhe nesër.
Të dashur aktivistë dhe aktiviste,
Ajo ku do të përqendrohem sot, është raporti me fqinjin tonë verior, agresiv e agresor. Dialogu ynë në Bruksel ka rezultuar para një viti e gjysmë me Marrëveshje Bazike që e ka në qendër njohjen reciproke, së paku, de facto, dhe me aneksin implementues përkatës nga takimi i Ohrit. Normalizimi i marrëdhënieve duhet të jetë normal. Duhet të ketë nënshkrim të marrëveshjes si garanci e qëllimit dhe vullnetit të mirë të secilës palë si dhe e mirëbesimit ndërmjet palëve. Po ashtu, letra 27-shes së BE-së nga dhjetori i vitit të kaluar, nga ish kryeministrja Bërnabiq, e cila thotë që s’e respekton integritetin territorial të Kosovës, duhet të tërhiqet menjëherë. Dhe, pas fletarrestit, Millan Radoiçiq dhe grupi i tij paramilitar, kanë tashmë edhe aktakuzë 160 faqëshe në Kosovë, e duhet t’i dorëzohen urgjentisht autoriteteve të shtetit tonë.
Unë kam dalur bukur moti nga burg, tashmë, por udhëheqja e Serbisë nuk ka dalur ende nga koha kur unë isha në burg. Mbase burgu nuk është vetëm me grila. Serbia nuk po e respekton Marrëveshjen Bazike të cilës ia ka shkelur 8 nga 11 nenet e saj. Ngjashëm qysh nuk e respekton dhe nuk zbatohet aneksi VII i Marrëveshjes së Daytonit, Marrëveshjen e Konçulit nga viti 2001 apo dakordimet nga Brukseli para një dekade e më shumë si psh. për kthimin e kadastrit, njohjen e diplomave ose vendosjen e pikave kufitare te Izvori në Zveçan dhe te Kapija në Kamenicë.
Presidenti i Serbisë disa herë ka thënë që ai nuk do ta nënshkruajë kurrë kapitullimin e Serbisë. Në fakt, nuk ka nevojë, kapitullimin tashmë e kanë nënshkruar dy gjeneralë serbë në Kumanovë më 9 qershor 1999: Svetozar Marjanoviq dhe Obrad Stevanoviq. Vuçiq po don të kthehet prapa në kohë, herë para vitit 1999 kur Kosova u çlirua, herë para vitit 2008 kur u shpall pavarësia, herë para vitit 2021 kur u zgjodh qeveria jonë e madje nganjëherë don të kthehet edhe para fundit të vitit 2001 kur u lirova nga burgu i Nishit. Por, ju që i përcjellni lajmet, zhvillimet, e dini dhe e shihni se si është bërë Serbia sot: para një çerek shekulli, nga politika dhe gazetaria atje, ishte dyshja Zoran Gjingjiq – Sllavko Quruvija, kurse tani, pasi që i vranë ata dy, janë Aleksandar Vuçiq – Zheljko Mitroviq. Serbia është shteti më kiç në kontinentin evropian, i padurueshëm për intelektualët dhe të ndershmit.
Presidenti i Serbisë akuzon qeverinë e Kosovës se dëshiron t’i dëbojë serbët nga Kosova. Në fakt, serbët janë shumë më të sigurtë në Kosovë sesa në Serbi. Atje ka shumë dhunë vrastare në televizion, në shtëpi dhe në shkolla. Në Serbi, emisionet debatuese janë përplot me kriminelë të luftës, që si analistë flasin publikisht pa pendesë e intervistohen rregullisht pa turp. Në 12 vitet e fundit në Serbi po rijetohen 12 vjetët e sundimit të Millosheviqit (1988-2000). Meqenëse Vuçiq nuk distancohet nga Millosheviqi, ai merret me Republikën Serbe në Bosnje e Hercegovinë dhe Malin e Zi paçka se është anëtar i NATO-s, në vend se ta njohë e pranojë pavarësinë e Kosovës dhe do t’ia kthejë Vojvodinës autonominë.
Regjimi i tyre po sillet si “Rusi e vogël” sepse e duan “Serbinë e Madhe”. E në Kosovë nuk bën të ketë politikanë në skenën politike që nuk distancohen nga Millosheviqi dhe Putini. E dimë që në Serbi ata do të mund të bëhen edhe Presidenta, Kryeministra, Zëvendës-Kryeministra, Ministra të Jashtëm e Shefa të Inteligjencës, por në Kosovë s’bën të janë as politikanë.
Tash, Beogradi zyrtar po dëshiron ta dëshmojë që serbët dhe shqiptarët nuk mund të jetojnë bashkë, që ata nuk mund të jetojnë as pranë njëri-tjetrit, që ata nuk e durojnë e tolerojnë njëri-tjetrin, dhe se: ose njëra palë shpërngulet, ose shpërthen dhuna midis palëve. Prandaj vetëm në këto dy qasje janë të gjitha deklarimet e tyre për veriun e Kosovës. Nëpërmjet dhunës në veri të Kosovës, ata kanë synuar që të dëshmojë që shqiptarët dhe serbët nuk mund të jetojnë bashkë andaj edhe duhet ndarë Kosova. Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit para një viti kishte për qëllim një konflikt të gjerë e të gjatë me gjithë atë armatim që e kishin sjellë paraprakisht në funksion të aneksimit të veriut të Kosovës. Pavarësisht dialogut në Bruksel, ata e duan ndarjen e Kosovës, ata duan ta dëmtojnë tërësinë tonë territoriale dhe funksionalitetin tonë shtetëror.
Ne e dimë që në Kosovë nuk kemi ndarje etnike por bullying (të serbëve) nga Beogradi dhe, na duhet ta pranojmë, një barrierë gjuhësore (shqip-serbisht). Nuk kemi ndarje etnike, por kemi një barrierë gjuhësore. Zhvillimi e demokratizimi, arsimimi dhe emancipimi, ligji, siguria dhe kushtetutshmëria janë zgjidhja e mjaftueshme dhe e vetmja zgjidhje.
Tash, Serbia ankohet që Kosova po bën veprime unilaterale. Në fakt, ajo vetëm po ankohet për qëndrimin e saj: mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Ankesa është përsëritje. E akt bilateral do të ishte pikërisht nënshkrimi i përbashkët i Marrëveshjes Bazike me Aneks të Implementimit për normalizim të marrëdhënieve. Pikërisht duke e nënshkruar marrëveshjen bëjmë gjëra bilaterale. Ndërkaq, gjërat e brendshme të Kosovës, sikurse shpallja e pavarësisë së Kosovës, padyshim që janë çështje të Kosovës. Ata që ankohen për veprimet tona unilaterale, janë duke u ankuar pse e kemi shpallur pavarësinë, janë duke u ankuar pse fituam në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë duke u ankuar pse përfundoi mbikëqyrja e pavarësisë.
Sundimi i ligjit për shtetin sovran është sikurse frymëmarrja. Frymëmarrja është e njëanshme, përveç te ndihma e parë, ndoshta. Kosova mund të ketë pasë nevojë për ndihmë të parë në pranverën dhe verën e vitit 1999. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur ku sundimi i ligjit vjen si detyrë direkte nga sovraniteti i shtetit. E këtë sundim të ligjit ne nuk e kemi përdorur në kurriz të të drejtave, për shkak se ligji është i drejtë dhe për shkak se shteti është demokratik; dhe pikërisht pse ligji i drejtë ai ka respektuar të drejtat edhe të serbëve, sidomos të serbëve, por është rritur nervoza në Beograd dhe agresiviteti ndaj vendit. Sulmet që na bëjnë janë dëshmi jo vetëm e drejtësisë tonë por edhe e sukseseve tona.
Përpjekja e tyre për një makinë kohore që i kthen para vitit ‘99, 2008 ose 2021 është shprehje e karakterit revizionist të regjimit në Serbi, dhe ky revizionizëm i tyre gjen mbështetje te Kushtetuta e vjetruar dhe agresive e Serbisë. Ajo Kushtetutë është frustruese edhe për vetë Serbinë. Ajo Kushtetutë duhet të ndryshohet.
Të gjitha angazhimet tona nuk janë të bazuara thjesht në vullnetin e popullit dhe legjislacionit tonë, por edhe vlerat perëndimore demokratike. Andaj perëndimi demokratik, në veçanti BE, ShBA, Mbretërisë së Bashkuar ne i bëjmë thirrje që Serbisë, duhet t’i kushtëzohen benefitet aktuale, jo vetëm ato të ardhshme, nga BE dhe ShBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Duhen të sanksionohen nga ShBA, BE dhe Mbretëria e Bashkuar ata që bashkëpunojnë me personat që ndodhen në listë të zezë në Ballkan. Ata që janë pjesëtarë të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore”, e që më 29 qershor vjet, Qeveria e Republikës sonë i ka shpallur organizata terroriste. Përndryshe lista e zezë, me kriminelët që shëtisin të lirë e planifikojnë sulme të reja, nuk është efektive. Kjo lista e zezë me emrat e këtyre kriminelëve duhet të jap rezultate nëpërmjet sanksionimit të të gjithë atyre që komunikojnë e bashkëpunojnë me ta kudo qofshin ata.
Po ashtu, meqenëse brenda dy vjetëve, katër herë Serbia e ka sjellur ushtrinë e saj te kufiri ynë, duhet rikthyer zona tokësore e sigurisë të cilën NATO e quan Ground Safety Zone – (GSZ) në gjerësinë 5 kilometra rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë . Ajo u hoq në gusht të vitit 2001 kur kryeministri i Serbisë ishte Zoran Gjingjiq, dhe këtë tash po e keqpërdor regjimi i Aleksandar Vuçiqit i cili po sjell artileri, trupa shtesë dhe sistem kundër-ajror kinez përbrenda këtij rripi pesë kilometërsh. Serbia është i vetmi vend në Evropë që posedon sisteme kineze të mbrojtjes kundër ajrore tip FK3 dhe dronë kinez tip CH-92A, si dhe dronë kamikaz nga Irani.
Të nderuar delegatë, gjatë këtij rrugëtimi gati 4 vjeçar, nëse këtu i përfshijmë edhe ata 4 muaj të qeverisjes tonë të parë në pranverën e vitit 2020, diku kemi bërë kompromise strategjike të kufizuara në kohë e nganjëherë edhe koncesione taktike të kufizuara në hapësirë, por, por, gjithnjë kemi ecur përpara. Me parimet e VETËVENDOSJE!-s, brenda konceptit të VETËVENDOSJE!-s, për qëllimet e VETËVENDOSJE!-s. Përpara, pa u lodhur, pa devijuar. Në rrugën tonë të përbashkët, për liri me barazi, për republikë me drejtësi, për demokraci me sovranitet kemi arritur që Kosova sot ka shumë më tepër integritet territorial dhe institucional se atëherë kur populli na votoi me mbi 50% në 14 shkurt 2021. Sa më shumë VETËVENDOSJE!, aq më shumë ligj dhe të drejta, aq më shumë shtet dhe mirëqenie, aq më shumë bashkim e aq më pak diskriminim.
Le të punojmë sepse do të fitojmë, le të punojmë që të fitojmë!

SHKARKO APP