Albpetrol reagon për shifrat KLSH: Rekord faturimesh në 9 mujorin e parë

Duke folur për rezultatet e punës të shoqërisë Albpetrol sh.a për këtë vit zoti Puka u shpreh se për herë të parë pas shumë vitesh shoqëria Albpetrol sh.a është kthyer në një nga financuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit. “Gjatë 9 muajve të parë të vitit 2014 shoqëria Albpetrol sh.a ka faturuar për shitje dhe shpenzime më tepër se 9 miliardë lekë të reja. Kjo është një rritje e ndjeshme në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë kur shifra e faturimeve ishte 4 miliardë lekë të reja, ose 46 milionë USD me pak. Rritja e faturimeve dhe të ardhurave të shoqërisë Albpetrol sh.a ka ndikuar drejt për drejtë në rritjen e kontributeve që shoqëria jonë ka derdhur në buxhetin e shtetit. Gjatë kësaj periudhe Albpetrol sh.a ka derdhur në buxhetin e shtetit rreth 35 milionë USD, ose 12 milionë USD më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”,- tha Puka. Sipas tij, rezultatet financiare janë të bazuara në rritjen e prodhimit, por edhe në mbledhjen e detyrimeve të papaguara nga kompanitë e hidrokarbureve, apo qoftë në uljen e humbjeve fizike

Rritja e të ardhurave nga ana e shoqërisë Albpetrol sh.a ka ndihmuar që kjo shoqëri të shlyejë edhe të gjitha borxhet e grumbulluara gjatë viteve të kaluar. Albpetrol sh.a, vetëm ndaj OSHEE (ish CEZ), ka shlyer gjatë vitit 2014 më shumë se 10 milionë USD detyrime dhe kamatë vonesa të krijuara nga viti 2008 deri në vitin 2013.

Një tjetër tregues i përmirësuar ndjeshëm gjatë 9 muajve të parë të vitit 2014 nga shoqëria Albpetrol sh.a është edhe ulja e humbjeve fizike në Ton. Rezultati i 9 muajve të parë, por edhe rezultati i pritshëm i fundvitit është rezultati më i mirë i 24 viteve të fundit (nga viti 1991 e deri më sot). Në fund të vitit shoqëria Albpetrol sh.a parashikon që niveli i humbjeve fizike të jetë 650 ton naftë në një kohë kur në vitin 2013 humbjet fizike arritën shifrën e frikshme prej 7259 tonëve naftë me një vlerë prej më tepër se 4 milionë USD.

Duke folur për akuzat e KLSH-së Puka u shpreh se ato janë të pasakta dhe se Albpetrolit i janë faturuar ngjrje të ndodhura gjatë administratës së kaluar. Akuza kryesore e KLSH-së ka të bëjë me cështjen e holluesit të karburantit të njërës nga kompanitë e Marrëveshjeve Hidrokarbure. Sipas KLSH-së kjo i ka shkaktuar buxhetit të shtetit shqiptar një dëm prej rreth 9.5 milionë dollarësh. Por administratori i Albpetrol sh.a, z. Puka, ka shpjeguar se marrëveshja në fjalë është lidhur në vitin 2011 dhe është anuluar në vitin 2013 nga administrata e re. Kjo marrëveshje është lidhur nga administrata e vjetër dhe administrata e re e ka cilësuar si të paligjshme dhe për pasojë e ka anuluar.

 “KLSH ka deklaruar që kjo kontratë është bërë në fundin e vitit 2013, ndërkohë që e vërteta është krejt ndryshe. Kontrata është e fundit të vitit 2011 të cilin administrata aktuale e ka shfuqizuar. Por sigurisht në bazë të të drejtave që i jep kontrata kompanisë shoqëria në fjalë i është drejtuar Dhomës së Arbitrazhit të Parisit për caktimin e një eksperti që do japë vendimin përfundimtar nëse pretendimi i Albpetrol për mosnjohjen e kësaj marrëveshjeje do të jetë i vlefshëm apo pretendimi i kompanisë do të konsiderohet i drejtë”,- u shpreh zoti Puka.

SHKARKO APP