ALBTELECOM DO TË INVESTOJË MBI 20 MILIONË EURO PËR TEKNOLOGJINË 4G/LTE

 

ALBtelecom ka nisur intensivisht punën për instalimin e më pas implementimin e teknologjisë 4G/LTE, për të cilën u licensua nga AKEP para disa muajsh.

Pasi ka kryer me sukses testimet në lidhje me teknologjinë 4G/LTE, kjo kompani bëhet gati që të ofrojë një eksperiencë mjaft të veçantë për të gjithë përdoruesit shqiptarë. Para dy vjetësh, me aprovimin e AKEP-it, ALBtelecom ka testuar me sukses këtë teknologji.

Ndërtimi i infrastrukturës për rrjetin 4G do të nënkuptojë një tjetër investim gjigant, që krahas vlerës 8.5 milionë Euro që ishte vlera e liçensimit nga AKEP, investimi e kalon shifrën e 20 milionë Euro.

Zv. Drejtori i Përgjithshëm, njëkohësisht Drejtor i Grupit të Teknologjisë në ALBtelecom, z. Murat Çakmak thekson se ALBtelecom ka një element mjaft diferencues që e bën shërbimin e kësaj kompanie krejt të veçantë.

Falë investimeve të bëra edhe më parë në rrjetin e fibrave optike, Eagle Mobile do të ketë mundësinë të ofrojë kapacitetin më të lartë të mundshëm për këtë teknologji të re.

Të gjitha antenat celulare të Eagle Mobile në çdo zonë të vendit janë të lidhura përmes fibrave optike, gjë që sjell një volum të madh (broadband) dhe shpejtësi të lartë interneti për abonentët. Pas nisjes së shërbimeve 4G/LTE, shpejtësia në transmetimin e të dhënave do të arrijë deri në 5 herë më e lartë se ajo aktuale që përdor teknologjia 3G.

Shërbimet me fibër optike të aplikuara nga ALBtelecom janë një domosdoshmëri për një shërbim 4G/LTE sa më cilësor. Me ndihmën e fibrave optike kjo teknologji e re në praktikë do të sigurojë shpejtësi shkarkimi të të dhënave 3-4 herë më të lartë krahasuar me rrjetin 3G. Hapi i mëtejshëm i ALBtelecom do të jetë rritja e kësaj shpejtësie deri në 10 herë. Me anë të teknologjisë 4G/LTE, ALBtelecom do t’u mundësojë abonentëve të tij celularë shpejtësi interneti 150 Mbps.

Sipas Drejtorit të Grupit të Teknologjisë, lundrimi në internet, thirrjet video, dërgimi/marrja e e-mailit, shkarkimi i këngëve, filmave, lojërave online, apo ndjekja e kanaleve televizive dhe videove do të jetë shumë herë më e lehtë dhe më e shpejtë me Eagle 4G. 

SHKARKO APP