Aldi Fusha: Skandali i vjedhjes së të dhënave personale të shqiptarëve, skandal që do përgjigje!
Aktualitet E Martë, 13 Prill 2021 10:36
Kandidati i LSI-së në Tiranë, Aldi Fusha ka reaguar lidhur me skandalin e vjedhjes së të dhënave personale të shqiptarëve dhe thekson se ky skandal kërkon përgjigje.
“Përvetësimi pa leje i informacioneve personale si numri i kartës së identitetit, adresa e plotë e banimit, vendi i punës, numri personal i telefonit etj, përbën vepër penale që duhet hetuar dhe dënuar”, shkruan në reagimin e tij Fusha.
Më tej kandidati i LSI shton: “Po t’i shtosh kësaj edhe “patronazhimin” njësoj si 80-lekëshat e qëmotit, skandali thellohet në mënyrë të frikshme. Një pjesë e madhe e të ashtuquajturve patronazhistë janë punonjës të bashkisë së Tiranës, gjë që i jep përgjimit një dimension tjetër”.
Reagimi i plotë:
Skandali i vjedhjes së të dhënave personale të shqiptarëve, një skandal që do përgjigje!
U bënë disa ditë që media e pavarur ka zbuluar skandalin më të madh të viteve të fundit me protagonist Rilindjen.
Përvetësimi pa leje i informacioneve personale si numri i kartës së identitetit, adresa e plotë e banimit, vendi i punës, numri personal i telefonit etj. përbën vepër penale që duhet hetuar dhe dënuar.
Po t’i shtosh kësaj edhe “patronazhimin” njësoj si 80-lekëshat e qëmotit, skandali thellohet në mënyrë të frikshme.
Një pjesë e madhe e të ashtuquajturve patronazhistë janë punonjës të bashkisë së Tiranës, gjë që i jep përgjimit një dimension tjetër.
Drejtësia duhet të veprojë!
Asnjë krim nuk do të mbetet i pandëshkuar. 25 prilli shtron rrugën e drejtësisë në vend. Askush nuk mund t’i përdorë shqiptarët si kavje eksperimenti.