Aleanca për Teatrin kallëzon në SPAK drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës

Aleanca për Mbajtjen e Teatrit ka dorëzuar sot pranë SPAK, kallëzim ndaj drejtueses së Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj për shpërdorim detyre. Aktivistët pretendojnë se Imeraj nuk ka kryer hetimet për kallëzimin e tyre për zv/kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku dhe administratorit të firmës “Fusha”, Shkëlqim Fusha. Sipas tyre përveçse nuk i ka thirrur për t’i marrë në pyetje, prokurorja ka firmosur për pushimin e çështjes, kurse prokurori tjetër ka refuzuar.

“Gjatë gjithë fazës së hetimit, ne si kallëzues të cilët kishim vënë në lëvizje Organin e Akuzës, nuk u thirrem për asnjë moment për të dhënë deklaratat apo dëshmitë tona në lidhje me dijeninë që kishim për veprat penale të kallëzuara prej nesh por, nëpërmjet fletë thirrjes për gjyq në datë 27.02.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhoma penale, mësuam se çështja ishte pushuar dhe nga kjo Gjykatë kërkohej miratimi i pushimit të çështjes”, thotë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Sipas Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, hetimi dhe vendimi duhej ndjekur nga tre prokurorë ndërsa akuzojnë se Imeraj nuk ka depozituar as numrin e protokolluar të urdhrit për pushimin e çështjes. Ata nënvizojnë se nga ana e Imerajt janë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorim i detyrës” pasi nuk ka asnjë rast të ngjashëm ku ajo të jetë bërë pjesë e hetimeve duke iu bashkangjitur prokurorit të shortuar të çështjes.

“Pasi u njohëm me dosjen nëpërmjet sekretarisë së Gjykatës, konstatuam se hetimet për këtë çështje ishin bërë nga grupi i prokurorëve, Elisabeta Imeraj dhe Alket Mersini sipas Urdhërit datë 26.09.2019 të Drejtueses së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe se, vendimin për pushimin e çështjes e kishte firmosur vetëm znj. Imeraj pasi, prokurori i caktuar me short, Mersini nuk ka pranuar të firmosë. Pasi u konsultuam me dosjen hetimore dhe me dispozitat ligjore në fuqi, mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm po argumentojmë, se nga e znj. Elisabeta Imeraj është konsumuar vepra penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”, përfundon deklarata.

SHKARKO APP