Aleanca për Teatrin publikon dokumentet: Çfarë malli me vlerë 107 mln lekë ka dalë nga magazina?

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka publikuar dy dokumente si pjesë të provave të depozituara nga subjektet e interesuara në Gjykatën Kushtetuese lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar.

Sipas Aleancës, dokumentet e publikuara jo vetëm që nuk përmbushin kërkesat formale të të qenurit shkresë zyrtare, por vërtetojnë se pas nxitimit të skajshëm për ta shembur Godinën e Kompleksit Teatror, qëndron objektivi kryesor për të ndërtuar kulla në atë shesh.

Dy dokumentet janë për dalje zërash nga magazina e Teatrit me emërtimin e mallit ”Teatri Kombëtar me Nr. Pasurie 1/241, ZK 8150 Tiranë, copë 1 me çmim 107,466,939 lekë”.

”Si lehtësisht dallohet, dokumentet e mëposhtme jo vetëm që nuk përmbushin kërkesat formale të të qenurit shkresë zyrtare, por vërtetojnë katërcipërisht pretendimin tonë, se pas nxitimit të skajshëm (gjë që u bë objekt i pyetjes nga njëri prej anëtarëve të Trupit Gjykues), për ta shembur Godinën e Kompleksit Teatror, qëndron objektivi kryesor për të ndërtuar kulla në atë shesh shumë të lakmueshëm në Tiranë, nxitim i cili dhe prodhoi dokumentacionin e mëposhtëm.

Pyetjes së bërë nga Aleanca përfaqësueses së Këshillit të Ministrave se a mund të kërkohet lirimi dhe dorëzimi i sendit (Teatri Kombëtar), me një AKTKONSTATIMI (dokumenti 2), kur dispozitat ligjore përcaktojnë së këto çështje zgjidhen me gjyq themeli, mori një përgjigje pa përgjigje. Po kështu, brenda Anëtarëve të Trupit Gjykues u krijua ilaritet kur Aleanca pyet përfaqësuesin e Bashkisë Tiranë se:

1. Çfarë malli është ky (dokumenti 1), që është bërë dalje nga MAGAZINA, sipas Fletë-Daljes Nr.28 datë 13.05.2020 me emërtimin e mallit “Teatri Kombëtar me Nr. Pasurie 1/241, ZK 8150 Tiranë, copë 1 me çmim 107,466,939 lekë?

2. Nga kush magazinë ka dalë ky MALL/PRODUKT dhe te kush magazinë është bërë hyrje?

Të gjithë e kuptojmë se këto pyetje jo vetëm vunë në vështirësi përfaqësuesin e Bashkisë Tiranë, të cilat mbetën pa përgjigje, por bindën Trupin Gjykues se çfarë janë në gjendje të bëjnë drejtuesit e korruptuar të institucioneve përgjegjëse vetëm për interesa personale dhe korruptive si dhe, deri ku arrijnë në prodhimin e dokumenteve që fyejnë intelektin e çdo juristi.

Në ditët në vijim do ju paraqesim të tjera fakte tronditëse dhe dokumente që të denja për një skandal dhe te cilat duhet të ishin objekt i hetimeve nga SPAK për të cilat Aleanca ka disponuar me 9 kallëzime (vetëm ato që lidhen me Teatrin).”

SHKARKO APP