Aleksandër Karpushin: “9 Maji, historia përsëri na bën thirrje për arsyetim dhe vigjilencë”
Është e rëndësishme që bota të mos harrojë mësimet e nxjerra nga lufta, në mënyrë që në asnjë rrethanë të mos lejohet përsëritja e një tragjedie të tillë…”. Një mesazh të tillë përcjell Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri, z. Aleksandër Karpushin, gjatë një bisede ndryshe me “Argumentum.al” në kuadrin e kremtimeve të 74-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike. Ndërsa apelon se tani pas 74 vitesh, historia përsëri na bën thirrje për arsyetim dhe vigjilencë. “Mesazhi kryesor i kësaj feste përfshin tre elemente: të respektojmë veteranët tanë, të kujtojmë dhe t’u tregojmë sa më shumë brezave të tanishëm për luftën më të tmerrshme në historinë e njerëzimit dhe për shkaqet e shpërthimit të saj, dhe të nxjerrim nga kjo luftë mësime për ndërtimin e së ardhmes”, thekson ai. Pa harruar të nënvizojë edhe faktin se e ardhmja e një populli është e pamundur pa një qëndrim të kujdesshëm ndaj kujtesës historike. Një apel të tillë ai e drejton edhe për rastin e Shqipërisë, për të cilën vlerëson se “është tejet e rëndësishme që brezi i ri i shqiptarëve të vazhdojë të ruajë në kujtesën e tij veprën heroike të mijëra partizanëve, patriotëve që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e atdheut”. Sipas Karpushin, ndërsa në Perëndim po bëhen përpjekje të paturpshme për rishkrimin e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe kthimin e bashkëpunëtorëve të nazizmit në heronj, mbrojtja e së vërtetës historike merr një rëndësi të veçantë. Ndërsa i pyetur për të ashtuquajturin “rreziku rus” deri dhe në rrafsh global, kur bota duhet të jetë pa mure, por me sa më shumë ura bashkëpunimi, Karpushin shprehet i mendimit se “disa aktorë globalë kurrsesi nuk mund të pajtohen me një fakt të kryer: me formimin e një rendi multipolar, në të cilin bashkekzistojnë qendra të ndryshme të fuqisë dhe nuk ka një fuqi të vetme dominuese që u dikton të tjerëve rregullat e saj”. Për ta mbyllur me mesazhin e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se “detyra jonë e përbashkët duhet të jetë ngritja e një sistemi të sigurisë së barabartë për të gjitha shtetet”. “Të ndërtojmë një sistem efektiv ndaj kërcënimeve moderne mbi baza rajonale dhe globale”, thekson ai
Intervistoi: Marjana Doda
Zoti Ambasador, çfarë atmosfere mbizotëron në Rusi në prag të kremtimit të Ditës së Fitores në Luftën e Madhe Patriotike?
Dita e Fitores është festa kombëtare më e dashur në vendin tonë. Duke festuar 74-vjetorin e saj, ne edhe një herë kuptojmë madhështinë dhe rëndësinë e shkatërrimit të makinës ushtarake të Hitlerit, çlirimit të Europës dhe të botës nga nazizmi. Ndihemi krenarë për faktin se vendi ynë ka luajtur një rol vendimtar në këtë drejtim.
E gjithë bashkësia ndërkombëtare nxori një mësim të tmerrshëm nga aventurat e Hitlerit. Por, atëherë, në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, Europa e qytetëruar nuk e kuptoi menjëherë kërcënimin vdekjeprurës të ideologjisë naziste.
Tani, pas 74 vitesh, historia përsëri na bën thirrje për arsyetim dhe vigjilencë. Nuk duhet të harrojmë se idetë e epërsisë racore dhe eksepcionalizmit çuan në luftën më të përgjakshme. Për ne Fitorja e Madhe, përveç ndjenjës së krenarisë që na jep, do të vazhdojë të mbetet baza për edukimin e brezit të ri me frymën e patriotizmit.
Në këto ditë festive, ne nderojmë veteranët e luftës antifashiste. Ne të gjithë u jemi shumë borxhlinj dhe përkulemi para tyre. Kjo është festa e tyre, ndaj ata më shumë se kushdo tjetër në këtë botë meritojnë kujdesin dhe respektin tonë të thellë.
Jam i bindur se e ardhmja e një populli është e pamundur pa një qëndrim të kujdesshëm ndaj kujtesës historike. Për brezat e tanishëm, Fitorja nuk është thjesht një fakt historik, por edhe një pjesë e historisë së çdo familjeje. Populli ynë humbi 27 milionë njerëz në luftë dhe pagoi shumë shtrenjtë për ta trajtuar këtë datë thjesht si një festë të zakonshme. Lufta e Madhe Patriotike preku çdo familje, i gjithë kombi ynë mbarti mbi supe një barrë shumë të rëndë vuajtjesh, urie, pushtimi, mizorie të çmendur dhe pune vetëmohuese në prapavijë. Dhe më pas, populli sovjetik në një frymë rindërtoi të gjithë vendin, ringriti sërish mijëra qytete dhe vende banimi të shkatërruara, duke ndihmuar, në të njëjtën kohë, edhe popullin e Shqipërisë. Bashkimi Sovjetik u bë një nga arkitektët e rendit të ri botëror, u bë një superfuqi ushtarake dhe ekonomike, e cila që në vitin 1957 e para në botë dërgoi satelitin e saj në hapësirë. Për këto rrallë flasin, por ato janë shumë të rëndësishme për të kuptuar madhështinë e popullit tonë. Asnjë vuajtje apo vështirësi nuk do të na thyejnë. Kujtimin për këtë e kemi në ADN-në tonë.
Çfarë simbolizon 9 Maji për popullin rus, por jo vetëm, dhe cili duhet të jetë mesazhi i kësaj dite?
Mesazhi kryesor i kësaj feste përfshin tre elemente: të respektojmë veteranët tanë, të kujtojmë dhe t’u tregojmë sa më shumë brezave të tanishëm për luftën më të tmerrshme në historinë e njerëzimit dhe për shkaqet e shpërthimit të saj, dhe të nxjerrim nga kjo luftë mësime për ndërtimin e së ardhmes.
Ne nuk kemi të drejtë të harrojmë pasojat katastrofike që mund të sjellë dëshira e dikujt për të arritur dominim botëror në bazë të bindjeve eksepcionaliste. Detyra jonë e shenjtë është që të parandalojmë përhapjen e ideve të mostolerancës, ksenofobisë, epërsisë racore, etnike, etj. Për ne, nderi dhe emri i mirë i fitimtarëve, si edhe vetë rezultatet e Luftës së Dytë Botërore janë të pacenueshme. Ne kurrë nuk e kemi ndarë Fitoren në tonën dhe të të tjerëve. Gjithmonë e kemi vlerësuar shumë lart kontributin e aleatëve të koalicionit antihitlerian, të të gjithë atyre që luftuan sup më sup kundër nazizmit në emër të së vërtetës dhe drejtësisë. Ne nuk harrojmë gjithashtu kontributin e popullit shqiptar në Fitoren tonë të përbashkët. Rusia kurrë nuk do të ndërmarrë hapa në dëm të sigurisë së ndonjë shteti tjetër dhe nuk do të lejojë përsëritjen e tmerreve të Luftës së Dytë Botërore.
Është e rëndësishme që bota të mos harrojë mësimet e nxjerra nga lufta, në mënyrë që në asnjë rrethanë të mos lejohet përsëritja e një tragjedie të tillë. Ne i konsiderojmë të papranueshme debatet mbi ato fakte të historisë së Luftës së Madhe Patriotike, të cilat janë të dukshme apo të dokumentuara. Për fat të keq, në disa vende europiane janë shpeshtuar përpjekjet për të rishkruar historinë. Ne vërejmë me shqetësim rritjen e propagandës së ideve dhe vlerave naziste, si edhe aktivizimin e radikalëve nacionalistë. Me dhimbje, vëmë re përpjekjet që po ndërmerren në Ukrainë dhe vendet Baltike për të përmbysur të gjithë historinë, për të shpallur bashkëpunëtorët e nazistëve si heronj kombëtarë dhe për të poshtëruar veteranët e Luftës së Madhe Patriotike që jetojnë në këto territore. Rusia gjithmonë do ta kundërshtojë këtë lloj obskurantizmi.
A është krenare Rusia për rolin dhe kontributin e saj në një rend botëror më të sigurtë?
Ne jemi krenarë dhe e çmojmë faktin se BRSS ishte një nga arkitektët kryesorë të rendit të ri botëror, i cili, duke mos iu nënshtruar përpjekjeve për shkatërrim, vazhdon të mbetet ende në fuqi. Veprimtaria e diplomatëve sovjetikë ka qenë e orientuar në forcimin e koalicionit antihitlerian, në hapjen sa më të shpejtë të Frontit të Dytë të premtuar nga aleatët, por që vazhdimisht vononin hapjen e tij, krijimin e kushteve më të favorshme ndërkombëtare për shpartallimin e armikut dhe përfundimin e luftës. Vetëm mendoni pak, nëse ushtria sovjetike do të kishte ndalur ofensivën e saj, duke qëndruar në kufijtë e BRSS, Europa do të ishte përballur me një katastrofë. Por, Bashkimi Sovjetik i përmbushi deri në fund detyrimet e tij ndaj aleatëve.
OKB-ja që është elementi kryesor i arkitekturës së re i krijuar me ndihmën aktive të diplomatëve sovjetikë menjëherë pas përfundimit të luftës, mbetet ende një platformë e pazëvendësueshme për zgjidhjen e krizave dhe problemeve ndërkombëtare, për gjetjen e një gjuhe të përbashkët midis përfaqësuesve të kulturave politike, ekonomive apo kontinenteve të ndryshme. Parimet kryesore të OKB-së, të tilla si barazia sovrane e të gjitha shteteve dhe mosndërhyrja në punët e tyre të brendshme, nuk janë gjë tjetër veçse mësime të nxjerra nga rezultatet e luftës. Shkelja flagrante e këtyre parimeve dhe nxitja e planeve agresive të anëtarëve të Lidhjes së Kombeve të para luftës pengoi realizimin e principeve të lartpërmendura, duke vendosur në rrezik vetë faktin e ekzistencës së botës. Dhe këtë ne duhet ta mbajmë mend si në të tashmen, ashtu edhe në të ardhmen.
Siç u shpreh Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, detyra jonë e përbashkët duhet të jetë ngritja e një sistemi të sigurisë së barabartë për të gjitha shtetet. Të ndërtojmë një sistem efektiv ndaj kërcënimeve moderne mbi baza rajonale dhe globale, jashtë blloqeve politike. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të sigurojmë paqe dhe qetësi në planetin tonë.
Përse përflitet kaq shumë për “rrezikun rus” deri dhe në rrafsh global, kur bota duhet të jetë pa mure, por me sa më shumë ura bashkëpunimi?
Do të ishte më logjike që kjo pyetje t’u drejtohej atyre që nisën në mediat botërore fushatën e tanishme të shfrenuar antiruse. Ju keni absolutisht të drejtë që sot në Perëndim vendi ynë paraqitet si një agresor global që minon shoqëritë demokratike dhe shkatërron themelet e një rendi botëror të civilizuar. Për denigrimin e Rusisë përdoret çdo argument, deri nga ato më absurdet, përfshirë këtu edhe trillime rreth ndërhyrjes së saj në proceset zgjedhore në çdo cep të botës.
Përse bëhet kjo? Duket qartë se disa aktorë globalë kurrsesi nuk mund të pajtohen me një fakt të kryer: me formimin e një rendi multipolar, në të cilin bashkekzistojnë qendra të ndryshme të fuqisë dhe nuk ka një fuqi të vetme dominuese që u dikton të tjerëve rregullat e saj. Vlera kryesore e Rusisë është sovraniteti i saj dhe aftësia për të ndjekur një politikë të jashtme të pavarur. Ne i respektojmë interesat e qendrave të tjera të fuqisë dhe dëshirojmë të na respektojnë edhe ne në të njëjtën mënyrë. Vendi ynë nuk do të heqë dorë nga parimet e tij dhe do të vazhdojë të mbështesë pacenueshmërinë e së drejtës ndërkombëtare dhe rolit qendror të OKB-së në zgjidhjen krizave në botë. Shumëkujt nuk i pëlqen sjellja e pavarur e Rusisë, madje ajo nuk i pëlqen në mënyrë kronike, të vazhdueshme, për dekada të tëra dhe madje për shekuj. Megjithatë, ky nuk është problemi i Rusisë, është problemi i rusofobëve të pashërueshëm.
E lakuar shumë për ndikim në Ballkan, përse Rusisë i mohohet sot prezenca në këtë rajon, ndërsa e kaluara historike tregon lidhje të ngushta midis Rusisë dhe vendeve ballkanike?
Udhëheqësit e disa vendeve europiane, duke përfshirë, meqë ra fjala, edhe Shqipërinë, kanë qejf të përsërisin se Rusia nuk është në gjendje t’u ofrojë vendeve të Ballkanit një alternativë të besueshme ndaj integrimit europian. Sipas tyre, për banorët e rajonit Rusia është gjoja një vend jotërheqës dhe josimpatik. Megjithatë, në realitet, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të thjeshtë në vendet ballkanike nuk e mendojnë kështu. Dhe pikërisht për këtë arsye lindi nevoja e propagandës së vazhdueshme perëndimore kundër afrimit të Rusisë me këto vende. Nëse Rusia nuk do të gëzonte një mbështetje reale të njerëzve në rajon, Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja nuk do të bënin përpjekje kaq të mëdha për të demonizuar vendin tonë. Siç ju theksuat me të drejtë, përvojën e mbledhur historike nuk e fshin dot njeri. Rusia ka qenë, është dhe do të jetë e pranishme në Ballkan, si një partner i ndershëm dhe pragmatik që realizon interesat e tij, në radhë të pare ekonomike, por pa i cenuar në asnjë mënyrë interesat e vendeve të rajonit, me të cilat do të vazhdojmë të zhvillojmë një bashkëpunim të ngushtë ekonomiko-tregtar dhe humanitar. Kjo quhet komunikim i qytetëruar. Ndërsa trillimet e ndryshme për një ndikim negativ të Rusisë në Ballkan nuk kanë asnjë bazë racionale dhe janë rezultat vetëm i arrogancës dhe frikës nga konkurenca e ndershme.
Rëndësia e zhvillimit të dialogut Beograd-Prishtinë po kondicionohet nga Presidenti Vuçiç me angazhimin e Rusisë. A mendoni se njohja e plotë e shtetit të Kosovës nga Serbia do t’i shërbente paqes dhe sigurisë në rajon?
Për të gjitha çështjet e lidhura me statusin e Kosovës, Rusia i përmbahet me vendosmëri së drejtës ndërkombëtare. Zgjidhja e problemit të Kosovës ka qenë dhe mbetet prerogativë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rezoluta 1244 e miratuar prej tij, e cila pasqyron angazhimin e vendeve-anëtare ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë së atëhershme, vazhdon të mbetet në fuqi. Në të njëjtën kohë, Rusia i mbështet plotësisht bisedimet e tanishme midis Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së. Siç e theksoi Presidenti Putin gjatë vizitës së tij në Serbi në janar të këtij viti, Moska mbështet arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe reciprokisht të pranueshme për të dyja palët, në bazë të rezolutës 1244. Kuptohet gjithashtu që marrëveshja finale midis palëve duhet të kalojë me patjetër për miratim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Dhe më e fundit por e rëndësishme. Zoti Ambasador, cili është mendimi juaj për politikën e brendshme të Tiranës zyrtare? Dhe cili është mesazhi juaj për popullin shqiptar në këtë përvjetor të fitores së përbashkët kundër fashizmit?
Politikën e brendshme të qeverisë shqiptare nuk duhet ta vlerësojnë diplomatët e huaj, por vetë qytetarët e Shqipërisë. Prandaj, unë nuk kam të drejtë të jap ndonjë koment për çështjen në fjalë.
Sa për përvjetorin e Fitores sonë të përbashkët mbi fashizmin, me rastin e kësaj feste do të dëshiroja t’u uroja me gjithë zemër të gjithë shqiptarëve paqe dhe begati. Më date 29 nëntor të këtij viti do të festohet 75-vjetori i çlirimit të Shqipërisë. Jam i sigurt që ajo do të jetë një ditë e shënuar jo vetëm për veteranët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, por edhe për të gjithë popullin shqiptar, i cili dha një kontribut të çmuar në shpartallimin e Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste. Është tejet e rëndësishme që brezi i ri i shqiptarëve të vazhdojë të ruajë në kujtesën e tij veprën heroike të mijëra partizanëve, patriotëve që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e atdheut. Sot, ndërsa në Perëndim po bëhen përpjekje të paturpshme për rishkrimin e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe kthimin e bashkëpunëtorëve të nazizmit në heronj, mbrojtja e së vërtetës historike merr një rëndësi të veçantë. Ne i shohim shfaqje të tilla shqetësuese në vendet Baltike dhe në Ukrainë, ku përdhoset kujtimi për luftëtarët kundër nazizmit, ndërsa bashkëpunëtorët e këtij të fundit, përkundrazi, nderohen me çdo lloj lëvdimi, madje edhe në nivel shtetëror. Detyra e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos e vendeve të ish-koalicionit antihitlerian, qëndron në dënimin e praktikave të tilla të ndyra dhe në parandalimin e popullarizimit dhe përhapjes së tyre në vende të tjera.
© Argumentum