Aleksandër Vuçiç kërcënon Evropën me luftë nëse bllokohet “Ballkani i Hapur”

Një luftë do të shpërthejë në Ballkan, nëse bllokohet Ballkani i Hapur. Kërcënimi i hapur për Evropën ka ardhur ditën e djeshme nga Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Teksa ka përsëritur thirrjen nga Brukseli për vendet e rajonit që t’i bashkohen nismës “Ballkani i Hapur, Vuçiç tha se kjo është në të mirë të popujve dhe vendeve, teksa zbuloi se kanë pasur trysni nga shumë vende të fuqishme dhe udhëheqësit e tyre. “Kemi ftuar qindra herë të gjithë të tjerët. Kurdo dhe sa herë që e bëjmë e bëjmë për hir dhe në përfitim të popujve tanë sepse ka qenë gjithmonë kjo pyetje, ku janë të tjerët. Kemi pasur trysni nga shumë vende të fuqishme, nga udhëheqësit e tyre, për llojin e nismës, natyrën e nismës, por ne po bëhemi gjithmonë e më të fortë se besuam te kjo. Nisëm të besojmë te vetja. Kemi vetëbesim më të madh sot”, tha Vuçiç. Më tej ai foli për paqen dhe theksoi se nuk do luftë në Ballkan. “E dimë që duhet të mbajmë paqe dhe qetësi në rajon. Kjo është ajo që kemi nevojë. Thjesht hidhini një sy një dite luftimesh në Ukrainë. Doni të keni një luftë në Ballkan? Unë nuk dua. Mos e nënvlerësoni nismën tonë, sjell njerëzit bashkë. Nuk është e mirë për të dy ne, por për popujt tanë, vendet tona”, përfundoi Vuçiç.

“Ballkani i Hapur” nën hijen e Rusisë

Ajo çfarë është thënë vazhdimisht dhe është parë me dyshim se në fakt “Ballkani i Hapur” është një nismë që i shërben më shumë Rusisë dhe Serbisë, u konfirmua hapur nga shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov. Pasi Evropa i prishi planet duke i anuluar takimin me Vuçiçin në Beograd, kryediplomati rus tha se Ballkani i Hapur është një iniciativë serbe dhe se Rusia e mbështet këtë pavarësisht kundërshtimeve të Brukselit. “Natyrisht ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e donin këtë, ata nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për Beogradin, duke përfshirë projektin Ballkani i Hapur. Tani është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan të kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov pak ditë më parë. Ai deklaroi se Brukseli nuk dëshiron të sigurojë një platformë për Rusinë në Beograd që Moska të paraqesë qëndrimin e saj për një sërë çështjesh rajonale. Kjo është një ndër deklaratat më të forta të bëra për herë të parë nga Rusia në lidhje me Ballkanin e Hapur ku Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë angazhuar seriozisht në implementimin e kësaj nisme. Të vetmit shtete që po rezistojnë fort janë Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja. Përveç Vuçiçit, një nga mbështetësit më të mëdhenj të kësaj nisme është kryeministri shqiptar Edi Rama. Në emër të Ballkanit të Hapur, Rama në jo pak raste i është kundërvënë Albin Kurtit pse kryeministri i Kosovës refuzon ta pranojë nismën. Dhe jo pa qëllim. Mesa duket Kurti i udhëzuar nga amerikanët e ka kuptuar qartë lojën anti-perëndimore që fsheh projekti ku bën pjesë dyshja Rama-Vuçiç, ku në të vërtetë fijet i lëviz Rusia.

SHBA skeptike për “Ballkanin e Hapur”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE janë shfaqur së fundmi skeptikë sa i takon nismës “Ballkani i Hapur”. I dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin këtë nismë, por duhet edhe pjesëmarrja e vendeve të tjera. Ndërsa Gjermania kërkon rrjetëzimin e Procesit të Berlinit. Në këtë kontekst, diplomati Escobar ngriti pikëpyetje për funksionimin e nismës, duke theksuar se ajo nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk angazhohen të gjashtë vendet e Ballkanit. “Tri vendet që nisen këtë iniciativë duhet të jene të hapura dhe të bisedojnë nga afër me tre partnerët e tjerë që janë skeptikë, të marrin parasysh arsyet pse nuk pranojnë. Pa të gjashtë vendet kjo nismë nuk mund të ketë sukses. Nuk mund të premtoni transmetim efikas të energjisë, nëse nuk përfshihen të gjashtë vendet, thjeshtë nuk funksionon. Ju duhet të ndërtoni institucione që do ndihmojnë në zbutjen e problemeve që keni tani në rajon. Nëse hapni kufijtë, duhet të keni kontroll më të mirë. Për Serbinë, kjo do të thotë se kufijtë me Kosovën do të duhet të jenë efektivë, të monitoruar nga ndërkombëtarët. Përveç kësaj,ne mbështesim çdo integrim ekonomik dhe rajonal që çon në atë drejtim”, deklaroi Escobar.

SHKARKO APP