Alfred Lela: Jo një zyrë shtetërore që vendos çfarë është gazetareske
Paketa anti shpifje ose dy ligjet e kaluara sot nga maxhoranca në parlament “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013, “Për mediet audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, janë në qendër të vëmendjes së mediave dhe opinionit publik të ditëve të fundit.
Sonte debati mbi paketën anti-shpifje është spostuar në “Real Story” në News 24 me një panel profesionistësh si pedagogia Iris Luarasi, gazetari Alfred Lela, analisti Agron Gjekmarkaj dhe analisti Eduard Zaloshnja.
Alfred Lela u shpreh që në nisje kundër një kontrolli shtetëror mbi gazetarinë. Ai tha se nuk është pro një zyre shtetërore që mbikëqyr dhe vendos çfarë është gazetareske ose për një shtet që i fut duart kudo.
“Kodi i etikës i mesit të viteve ‘90 do i mjaftonte gazetarëve për mënyrën e shkrimit e raportimit. Kryeministri ka të drejtë në disa prej gjërave por nuk ilustrojnë të tërën dhe nuk mund të kthehen në një ligj si goditje.
Nëse i kthehemi tërmetit është dënuar një vajzë se ka ndarë një lajm të një gazete italiane. Unë nuk jam për një zyrë shtetërore që mbikëqyr dhe vendos çfarë është gazetareske apo jo. Nëse shkolla e gazetarisë do ishte në vend të AMA-s do isha pro. Nuk jam për shtet që i fut duart kudo, jam për shtet të vogël. Unë nuk mund tua lë disa njerëzve zyrtarëve. Ligji është bërë për të goditur mediat online. Është një lloj ‘wild west’ por ka lirinë e vet dhe gjëra që nuk i gjen në mediat tradicionale. Jam kundër shtetit që fut duart aty ku nuk duhet me i fut. Të ia jap Këshillit të Medias, Shkollës së Gazetarisë, një trupe…Meraku im është ky që nëse ata njerëz që do të marrin vendime për çfarë është gazetareske apo ‘fake news’ më e pakta duhet ta dinë për çfarë janë duke folur e shkruar. Ne i dimë administratat tona se sa shumë çalojnë dhe nuk dua që komuniteti i gazetarëve të gjykohet nga administrata shtetërore”, deklaroi Lela.