Alfred Lela: Presidenti ka të drejtë
Në 2 mars Presidenti, Ilir Meta ka thirrur qytetarët në një tubim në bulevard, kundër asaj që kreu i shtetit e quan grusht shteti. Por këtë lëvizje të kreut të shtetit, analisti Alfred Lela e quan betejë politike.
Lela i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, foli për paradokse, pasi Presidenti ka të drejtë, por Ilir Meta është i pabesueshëm.
Beti Njuma: Si ta quajmë këtë një betejë ligjore apo politike këtë të Presidentit?
Alfred Lela: Beteja është politike. Presidenti ka të drejtë, shkeljet janë të gjitha. Askush me një logjikë të ftohtë nuk do mundej të thoshte që Presidenti në pikën 1, ose 6, ose 8 ka të drejtë në të gjitha, por Presidenti është Ilir Meta, nuk është Scalfaro. Pra po të doni edhe i ndajmë këto, por matematika politike thotë që në shesh do dalin ata që i ndajnë këto të dyja, ndërsa ata që nuk i ndajnë nuk do dalin. Prap vijmë tek ajo që a e përfaqëson unitetin e popullit Presidenti si prerogativë kryesore ose jo? Do ta shohim. Numrat mund të më nxjerrin mua huq. Ndoshta do të doja të më nxirrnin mua huq. Me numrat kam parasysh njerëzit që do dalin në bulevard.
Lider i opozitës, tha Lela, është ai me aksionin më të madh politik, që sipas tij kohët e fundit e ka më të dukshëm Presidenti Meta.
Alfred Lela: Politikisht, Ilir Meta muajt e fundit ka pasur më shumë dritë, më shumë fokus, më shumë aktivitet dhe më shumë produktivitet sesa Lulzim Basha. Emrat ose etiketat që mund ti vëmë Bashës dhe Metës nuk kanë rëndësi në këtë rast, a është Basha lider i opozitës apo Meta?! Lider i opozitës është ai me inkursionin më të madh politik, me aksionin më të madh politik.
Lela tha se mazhoranca dhe presidenti po simulojnë fundin e njëra-tjetrës, Presidenti me shpërndarje parlamenti dhe qeveria me shkarkimin e kreut të shtetit.