Alfred Trebicka: Ministrja Kumbaro instaloi frikën për “bukën e gojës”

E hëna e kësaj jave ishte pak më ndryshe nga tjerat, për atë grup aktorësh e regjisorësh që kanë vendosur t’i qëndrojnë deri në fund, a deri në fundin që do munden, çështjes së mosprishjes së Teatrit Kombëtar. Ndryshe nga të hënat e shkuara, takimi i kësaj radhe u bë në një sallë të mbyllur, në Teatrin Kombëtar “Kujtim Spahivogli”.

Veç artistëve përkrahës të mosprishjes së Teatrit, këtë herë ishin edhe deputetë të opozitës që, përveçse i shërbyen vetes së tyre, mbështetën edhe kauzën.

Një ndër ata që ka qenë thuajse i pranishëm, përgjatë çdo të hëne, është aktori Alfred Trebicka. Në intervistën për “Panorama”, Trebicka shpjegon situatën aktuale, por edhe parashikimin e tij të dhimbshëm për të ardhmen e Teatrit Kombëtar.

Ju keni qenë thuajse gjithmonë në takimet e të hënave… A ka ndonjë ndryshim nga java në javë, sepse duket sikur nuk po ndodh asgjë?! 
Jam përpjekur të jem i pranishëm gjithmonë, veç ndonjë rasti kur kam pasur shfaqje.

A keni ju një informacion, përtej atij që është publik? 
Unë kam atë informacion që kanë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë çështje. Nuk kam asnjë informacion që nuk dihet nga shumica. Më i fundit është prej një debati televiziv, ku ishte i ftuar nënkryetari i bashkisë dhe u fol gjatë edhe për Teatrin Kombëtar. Ajo çka arrita unë të merrja nga mënyra sesi u prononcua nënkryetari i bashkisë në atë emision, ishte informacioni më i freskët.

Që ishte vazhdimi i planit për prishjen e teatrit? 
Ishte vazhdim i asaj që është thënë që në fillim. Biznesmeni që është ofruar do ta bëjë këtë investim, por ai do pjesën e tij.

Pra, projekti do aplikohet?
Ideja ajo ishte… Ai foli me një retorikë aspak të re, por që siç ka ndodhur edhe gjatë gjithë kësaj kohe, flitet anash e anash, asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Situata është ajo që ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe. Zhvillimi i fundit që mund të quaj unë, ishte takimi i fundit që u bë te Teatri Eksperimental, ku pas ftesës që iu bë edhe deputetëve, kishte pjesëmarrje të mirë, sigurisht të opozitës. Një pjesë e tyre edhe u prononcua…kjo mund të quhet gjëja më e re .

A vlen prania e tyre për ndryshim të kësaj situate apo është vetëm në dobinë e tyre politike?
Sigurisht që nuk ka ndonjë efekt të madh, dihet që e bëjnë në shërbim të vetes, por duke e hequr këtë pjesë, duke e marrë të mirëqenë faktin se janë aty për Teatrin, prania e tyre është mbështetëse. Ndërkohë që thelbi i së tërës është shumë i qartë, pavarësisht se faktorë të ndryshëm politikë po përpiqen të hedhin mjegull, si për shembull ideja që italianët e ndërtuan për të argëtuar ushtarët italianë dhe kaq, ajo e ka kryer misionin e vet. Italianët, edhe gjithë korpusin e bulevardit e ndërtuan po në ato vite dhe sipas kësaj logjike, hajde t’i heqim të gjitha. Mazniku përdori përsëri argumentet e rrezikut të zjarrit, pra, të njëjtat, ato të vjetra që kanë rënë tashmë. Ne që jemi të ingranuar me këtë gjë, kur dëgjojmë këto përsëritje, fyhemi… të mos riciklojnë argumente të ezauruara!

Si mendoni ju, cila do të ishte zgjidhja më e mirë për atë Teatër?
Për mua personalisht, zgjidhja më e mirë është që ai korpus që është aty të marrë një status monumenti dhe kjo është një ide që unë e kam thënë edhe shumë vite më parë. Ai vend nuk ka pse prishet, sepse ai ka ato vlera që ne të gjithë i dimë, qoftë në aspektin kulturor e atë historik. Qoftë variant i rikonstruksionit, o mirëmbajtjes, o kthimi në muze, nuk do të thotë që ai s’do të jetë më funksional. Mund të mos ketë të njëjtin kapacitet që ka sot, por do të jetë në funksion, gjithnjë mbasi të jetë vënë dorë dhe të jenë krijuar të gjitha ambientet e kushtet.

Ne e dimë shumë mirë që mund të bëhet dhe nëse ata e kanë përzemër, le të bëjnë edhe Teatër të ri. Argumenti i mungesës së fondeve është qesharak. Vetëm për Teatrin nuk kanë fonde këta njerëz?! S’kanë as për ta lyer?! Të gjitha këto që pengohen, ngrihen si argument, që kjo duhet të shembet. Njerëzit, ngaqë nuk janë të përfshirë, i marrin këndvështrimet e ndryshme si të mirëqena. Këtë e shoh edhe te njerëzit që janë larg kësaj gjëje e më pyesin përditë… Të gjitha janë thënë dhe dihet që interesi është i pastër mbi truallin, gjitha të tjerat janë të kota, biseda shterpë që nuk të çojnë asgjëkund. Këto ditë është rikujtuar qëllimi i pastër, edhe përmes videove të vjetrave, kolegëve tanë. Që atëherë, aferat kanë qenë të pastra, synimi është vetëm të shfrytëzohet toka. Situata është e qartë, i gjithë problemi është sesi do merren vendimet. U bënë disa të hëna tashmë që ju mblidheni dhe nuk merrni asnjë përgjigje, nuk po reagon askush. Kjo është pjesa që krijon shqetësimin më të madh.

A po ju shpërfillin enkas?
Ne nuk na befason më asgjë, që në fillim u ndeshëm me këtë qëndrim.

Megjithatë, duke qenë të qëndrueshëm në qëllimin tuaj, duhet të kishte pasur një reagim.
Përgjigjet janë spostimet. Nga Ministria spostohet vendimi te Kryeministria, nga Kryeministria te bashkia, një lojë e kotë, manovra.

Si e parashikoni të ardhmen e afërt?
Përderisa, siç kemi dëgjuar, Teatri do shkojë te “Turbina”, pas atij transferimi, do të ketë edhe hapa më konkretë, që do të thyejnë heshtjen aktuale.

Pra, ju, megjithëse jeni i angazhuar në këtë grup të vogël aktorësh që po përpiqen të ruajnë Teatrin, mendoni që ajo është e ardhmja, “Turbina? Pra, edhe pse përpiqeni, e dini që fundi ai është… 
Që do shkojnë atje, e dinë ata që e kanë pranuar këtë. Ai kontingjent i atyre njerëzve që e quajnë veten aktorë. Unë nuk e kuptoj si mund të jetë aktor një qenie që ka frikë nga rrobat që vesh, ndërkohë që ne që merremi me këtë punë, aktorët e gjithë botës, kudo e në çdo regjim, kanë qenë njerëzit më të lirë të shoqërisë…

Edhe me më tepër ndikim… Nëse do ishit bashkë, mund të kishte pasur rrjedhë tjetër…. 
Nuk ka se si të jemi bashkë sepse aty është punuar edhe në këtë drejtim. Aty nuk ka vetëm degradim godine, aty është punuar edhe për të degraduar njerëzit. Teatri Kombëtar nuk është godina, janë njerëzit që e bëjnë atë. Teatri kombëtar ka pasur qindra aktorë, por jo të gjithë kanë lënë gjurmë, sigurisht që gjithsecili ka pjesën e tij, por nuk janë njësoj.

Pra, edhe kontingjenti që është afruar me format kontraktuese 6-mujore të sistemit të dyshimtë, që e fabrikon kontingjentin me indiferencë e rehati, të çon në degradim. Pavarësisht se sot shitet si sukses i madh i Teatrit, por kjo është një temë tjetër, që duhet analizuar më vete. Suksesi nuk janë shifrat, por cilësia, këtu s’ka as kritikë, as bord serioz që të analizojë produksionin. Janë 3-4 projekte të teatrit, që janë të dështuara dhe nuk flet askush. Merren vetëm me shifra, që edhe ato janë të dyshimta…

Aty janë vënë kryevepra dhe janë vënë për faqe të zezë dhe askush nuk thotë asgjë, dalin vetëm spërdridhen duke dhënë justifikime të kota. 
Unë me timen, edhe pse nuk e kam artikuluar, kam arritur në një përfundim; aty, nëse shembet ajo godinë, ne nuk kemi për të pasur më teatër sepse ky degradim, qoftë i ndërtesës, qoftë i institucionit, do ta zhbëjë teatrin. Ne do bëjmë gjëra që lidhen me skenën, por teatër nuk do të ketë më! Degradimi i strukturës institucionale vjen edhe nga mënyra si ndërtohet programi, repertori, njerëzit që afrohen. Treçereku i njerëzve aty janë anonimë, vetëm për të bërë qokat e drejtorit, që ai të krijojë elektoratin e tij. Ai është kthyer tashmë në një institucion, ku punojnë ca njerëz që marrin një rrogë dhe janë të kënaqur me ato buxhete projektesh.

Ata që nuk janë të pranishëm, mendoni që janë indiferentë, që duan që Teatri të shembet, apo janë pjesë e palës politike? 
Problem kryesor këtu është instalimi i filozofisë së frikës, një filozofi militantiste. Me instalimin e kësaj filozofie, të pretendosh të shkosh në Europë, është paradoks i madh. Disa prej tyre thonë që unë dua që ky Teatër të prishet, prandaj s’kam arsye pse të jem i pranishëm. Dakord, ata që duan që ky Teatër të prishet, le të vijnë në takime me argumentet e tyre, hajdeni të dialogojmë, se mbase bindem edhe unë prej atyre argumenteve dhe ndryshoj mendim.

Unë që them të mos prishet, kam argumentet e mia, le të vijnë e t’i ballafaqojmë. Thelbi i këtij kontingjenti është vetëm frika se do na heqin nga puna. Kjo gjë u instalua që në start, që në takimet e para që bëmë me ministren. Aty, për herë të parë, u lakua togfjalëshi ‘buka e gojës’. Ne po shkuam si aktorë, si regjisorë, si njerëz të artit, të shkojmë te mendësia e bukës së gojës, është e kotë që e vijojmë këtë debat. Mirëpo, ai kontingjent që ka mbetur atje, e ka pranuar këtë gjë, madje, edhe sikur Kryeministri t’u thotë ‘nuk do iki askush nga puna’ ata do sillen njësoj, sepse iu ka hyrë virusi, nuk ndryshojnë më. A mendoni që nëse transferohen te “Turbina”, kjo gjë do të ngelet kështu, ndërtimi do të zgjasë pafundësisht? E përsëris, po u shemb Teatri, ne nuk do të kemi më teatër!

Për projektin e ri të prezantuar nga Kryeministri, ç’mendoni? 
Çfarë prezantimi ishte ai?! Ne nuk duhet ta gëlltisnim mënyrën e prezantimit, pa kaluar fare te projekti. Nuk është nevoja të marrim shembuj të largët krahasues për të kuptuar gjendjen tonë, as me transparencën e Maqedonisë nuk krahasohemi dot. Si përfundim, situata nuk është aspak e këndshme. Kryetarja e Komisionit të Kulturës thotë se e ka thirrur disa herë ministren në takim dhe ajo refuzon të shkojë.

Ju deri sa do rezistoni, sepse duket sikur është e kotë kjo përpjekje? 
Ne do të rezistojmë brenda mundësive që kemi ne. Edhe nëse aty do të ndërtohet, unë prapë do të rezistoj, megjithatë kjo gjë nuk varet nga një individ apo nga një grup i vogël njerëzish, që përpiqen ta ndryshojnë këtë gjë. /Panorama

SHKARKO APP