Alibeaj: “Anti-KÇK” shkel Kushtetutën, aksioni do të dështojë

Për opozitën, akti normativ për pasurinë e krimit të organizuar bie ndesh me Kushtetutën e nuk do të sjellë rezultate konkrete në luftën kundër krimit.

Ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili ka mbajtur postin e ministrit të Drejtësisë sqaron se ligji është antikushtetues, pasi kufizon disa të drejta bazë, por pa garancinë e shtetit të së drejtës.

“Akti normativ Anti-KÇK ka eliminuar totalisht kompetencën e prokurorisë dhe gjykatave për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve të drejtorit të policisë, dhe ky është haptazi bie ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave, neni 6, me Kushtetutën e Shqipërisë, dhe me të tjera ndërkombëtare”, shprehet ish-deputeti i PD-së.

Sipas Alibeajt në çdo rast duhet të ekzistojnë garancitë në ligj që shmangin veprimet abuzive.

“Çdo kufizim i të drejtave themelore të individit; liria e lëvizjes, e drejta e pronës, aktiviteti ekonomik, kushdo qoftë ai; kur shteti do t’ia kufizojë duhet ta bëjë këtë bazuar mbi prova, e jo mi hamendësime. Akti normativ nuk bën gjë tjetër veçse i jep drejtorit të policisë të drejtën që bazuar mbi informacionet, hamendësime, që nuk janë prova, të vendosë këto kufizime”, thekson ish-deputeti i PD-së.

Enkelejd Alibeaj thekson se ky aksion i qeverisë do të dështojë, e nuk do të ketë rezultat në luftën kundër krimit.

“Qellimi është i mirë, mjeti është jo i përshtatshëm. Dhe do të shohim gjithmonë vetëm fasadë, siç është policja  bionde e fshehur me syze të errëta që do të japë lajme e statistika, dhe nga ana tjetër, e gjithë kjo veprimtari do të rezultojë e pasuksesshme, krimi do të triumfojë dhe do të jetë dështimi i radhës i shtetit”, deklaron Enkelejd Alibeaj.

Opozita e ka kritikuar ashpër aktin normativ të qeverisë në luftën kundër krimit, duke vënë në dukje jo vetëm antikushtetutshmërinë e ligjit, por edhe reagimin selektiv të qeverisë.

/Vizion Plus

SHKARKO APP