Alibeaj: Berisha dhe Rama janë kundër SPAK-ut! I hap derën Bashës për koalicion
Partitë e vogla që nuk janë më krah Sali Berishës, po tentojnë që të krijojnë një alternativë. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Djathtas 1912 kanë paraqitur ditën e sotme, në një konferencë të përbashkët të drejtuesve të tyre, platformën për ndërtimin e një koalicioni zgjedhor për zgjedhjet e vitit 2025. Dashamir Shehi dhe Enkelejd Alibeaj gjatë fjalës së tyre theksuan se sot demokracia në Shqipëri ndodhet në një moment të rrezikshëm dhe përfaqësimi i qytetarëve mbetet i kufizuar.
Alibeaj thotë se ka vend për Lulzim Bashën me të cilin ndau rrugët pas përçarjes së Partisë Demokratike. Për të ky koalicion opozitar do jetë i bazuar në 3 vlera thelbësore, garimi me lista të hapura, mbështetja për drejtësinë dhe raporte të shëndetshme me partnerët ndërkombëtarë.
”Ka hapësirë për këdo, për Bashën, për deputetë të tjerë, figura publike, për lëvizje të tjera. Por të jemi të qartë, ky është një koalicion vlerash, nuk ia mohoj vlerat askujt, por do duhet të jemi të qartë kjo është një platformë që e pozicionin veten politikisht në opozitë me shumicën e sotme, dhe partitë e shumicës së sotme, të distancuar me subjekte apo parti të cilat kanë kontribuar me votë në mbylljen e listave, së dyti që gjatë gjithë kësaj kohe kanë delegjitimuar institucionet e drejtësisë dhe që kanë marrëdhënie të ngrirë me partnerët ndërkombëtar”, tha Alibeaj në Report Tv.
Sipas Alibeajt, kryeministri Rama dhe Berisha janë bërë bashkë për të targetuar SPAK e GJKKO, por edhe për të ruajtur staus qounë e kryetarokracisë. Dhe kjo, sipas tij u provua me bashkimin e votave për amnistinë penale dhe kodin e ri zgjedhor. Një koment e ka edhe për mosbindjen civile të PD, duke thënë se Berisha ka mbetur i rrethuar vetëm me mjeranë dhe këtë e tregon edhe pjesëmarrja në protesta.