Alibeaj çel fushatën: Rama, Meta dhe Berisha vijojnë sulmin ndaj PD-së pa u ndalur
Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj e ka nisur fjalimin e tij në çeljen e fushatës elektorale me 1 minute heshtje, në kujtim të gazetarit Nebil Çika i cili ndërroi jetë pak ditë më parë. Alibeaj hodhi sërish akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, Sali Berishës dhe Ilir Metës, për të cilët thotë se kanë bashkëpunuar për asgjësimin e Partisë Demokratike. Alibeaj tha se ata të tre, po vijojnë ende sulmin ndaj PD-së pa u ndalur.
”Partia Socialiste, pasardhëse e ish-komunistëve shqiptarë, me në krye një kryeministër mafioz si Edi Rama, një pazarxhi politik si Ilir Meta, bashkë me Sali Berishën, ish-kryetarin tonë dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë të shpallur non-grata nga aleati ynë madhor, SHBA, si minues i demokracisë dhe inkurajues i korrupsionit madhor në vend, në koordinim të hapur dhe të fshehtë me veglat e tyre në pushtet me sistemet mediatike dhe mafioze të tyre, me korrupsionin e 30 viteve, i janë futur një sulmi që nuk po njeh të ndalur.
Partia Demokratike dhe çdo simpatizant i saj ka qenë në një agresion të shumëfishtë. Agresion politik, agresion mediatik, agresion ligjor, madje dhe agresion fizik. Dhe e dini pse? Sepse kjo parti, ju dhe të gjithë demokratët që e duan dhe kanë kontribuar për të janë ndryshe nga ata.
Ata nuk e durojnë dot, e kam fjalën për kastën e vjetër politike, dinozaurët e tranzicionit shqiptar që të ekzistojë një forcë politike me integritet, që të ekzistojë një forcë politike që në themel të saj ka vlerat më të mira njerëzore, që ka në themel të saj lirinë e çdo individi, demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, tha Alibeaj.