Alibeaj: Duam interpelancë urgjente me Manjën, janë 100 të dënuar për korrupsion që përfituan nga Amnistia Penale

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike zyrtare, Enkelejd Alibeaj thotë se rreth 110 deputetë të Kuvendit bashkuan votat për të amnistuar edhe të dënuarit nga SPAK-GJKKO, duke iu referuar një prononcimi të SPAK për median sipas të cilit janë amnistuar 100 të dënuar nga GJKKO.

“Sot, mediat kanë raportuar sipas informacionit të marrë nga SPAK, se mbi 100 të dënuar për korrupsion u amnistuan. Një ligj i gatuar në errësirën e natës, në shkelje të procedurës parlamentare, me shpejtësi, pjellë e një pazari transversal të pamoralshëm politik, nxori nga burgu apo uli dënimin e mbi 100 të dënuarve për korrupsion”, tha Alibeaj në një postim në rrjetet sociale.

Për të besimi publik për ndëshkimin e korrupsionit dhe fundit të pandëshkueshmërisë mori goditje të fortë. Alibeaj shtoi se Partia Demokratike që në fillim depozitoi amendamentet kundër amnistimit të të korruptuarve, në mbështetje të SPAK-GJKKO.

“Me raportimin tashmë të fakteve nga media për amnistimin e të korruptuarve, PD do të ndërmarrë çdo hap për vënien para përgjegjësisë të kujtdo duke filluar me kërkesën për interpelancë urgjente me ministrin e Drejtësisë”, përfundoi Alibeaj.

SHKARKO APP