Alibeaj kundër marrëveshjes së Berishës: Kandidatët e PD nuk mund të garojnë me siglën e PL

Kreu i grupit parlamentar i PD-së, Enkelejd Alibeaj thotë se nuk do të njohë kandidatët e dalë nga primaret, për të garuar nën siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit.

“Nuk mund të ketë një kandidat të PD që garon me siglën e Partisë së Lirisë, kjo është jashtë çdo kuptimi. Ka vetëm një gjë, sigla, emblema, ideali, ajo që quhet Partia Demokratike”, tha Alibeaj në një prononcim për mediat nga Saranda, ku kishte marrë pjesë në një takim me anëtarët e degës.

Nga ana tjetër, Alibeaj pranon se opozita duhet të bashkojë forcat për të mundur socialistët, por nuk e sheh me shumë optimizëm përfshirjen e Ilir Metës në koalicion.

“Armiku, kundërshtari këtu është Edi Rama, e për pasojë duhen bashkuar forca. Secila prej partive të tjera politike kanë të drejtën të pozicionohen siç duan. Unë them një gjë, forca kryesore, mbështetja kryesore, shpresa kryesore është Partia Demokratike e Shqipërisë. Asaj do të duhet t’i bashkohemi, ajo është rruga e vetme”, tha Alibeaj.

SHKARKO APP