Alibeaj: Rama s’ka asnjë shans matematikor të fitojë
Ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, i ftuar i Juli Krisafit në edicionin e orës 19:00 në SYRI TV, komentoi situatën e fundit politike.
“Rama është në hall të madh që nuk ia zgjidhim dot ne. Ai është në hall me shqiptarët, se sot që flasim ai është i rënë nga pushteti. Po të doni me llogaritë e vitit 2017, qoftë me sondazhe, qoftë me frymë. Ky është halli i Ramës që nuk ia zgjidhim ne,” tha Alibeaj.
“Ajo që mund të bëjmë ne është që të japim kontributin tonë për hapjen e negociatave duke plotësuar kushtet për hapjen e derës së Bashkimit Europian,” tha Alibeaj, duke theksuar se Rama ka frikë nga humbja dhe po bën ndryshimet kushtetuese duke hequr koalicionet parazgjedhore.
I pyetur se si i sheh këto analiza që bën Rama, Alibeaj tha se këto janë analiza të vakëta. Ai tha se në vitin 2017, falë kësaj që synon Rama, ai mori gjashtë mandate të pamerituara.
“Sot, me një aleancë të frontit opozitar dhe me një rrëzim të kredos politike të qeverisjes dhe një urrejtje në rritje ndaj qeverisjes, nuk ka asnjë shans matematikor Rama të mbijetojë,” tha Alibeaj.
“Ramën e frikëson më shumë ajo që vjen pas humbjes së pushtetit. Rama duhet të kërkojë ato shtete larg Europës që nuk kanë marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë,” theksoi ai.