Alibeaj sfidon Berishën, jep urdhër për strukturat e degëve të PD-së

Enkelejd Alibeaj vijon që të mos e njohë Sali Berishën si kryetar i PD-së, dhe vijon punën me grupin e tij për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Për këtë ai ka nxjerrë një udhëzim në emër të kryesisë së Partisë Demokratike, për të gjithë degët e PD për të nisur procesin e ristrukturimit të strukturave me qëllim plotësimin dhe rivitalizimin e këtyre strukturave.

UDHËZIMI

1-Nisjen e procesit të ristrukturimit të organeve drejtuese në nivel lokal në të gjitha Degët e Partisë, duke përmbyllur procesin e plotësimit të vakancave në nivel seksioni, grupseksioni dhe/ose kryesi dege brenda datës 15 Dhjetor 2022, sipas këtij kalendari:

Nënkryetar dhe Sekretariati – brenda datës 20 Nëntor 2022;
Kryetar dhe sekretar Grupseksioni – brenda datës 1 Dhjetor 2022;
Koordinator për organizimin e FRPD – brenda datës 1 Dhjetor 2022;
Koordinator për organizimin e LDG – brenda datës 1 Dhjetor 2022;
Kryetar dhe sekretar Seksioni – brenda datës 15 Dhjetor 2022.

2-Dega e Partisë do të kryejë organizimin territorial të strukturave në nivel Seksioni, Grupseksioni dhe Dege, pas vlerësimit të situatës, performancës dhe vakancave të krijuara, sipas rregullave të përcaktuara në këtë udhëzim. Dega e Partisë merr masa që procesi i ristrukturimit të jetë gjithëpërfshirës.

3-Dega e Partisë për çdo qendër votimi (QV) mëmë duhet të ketë minimalisht një seksion, ku plotësohet secila me kryetarin dhe sekretarin përgjegjës për QV. Në territorin përkatës të një QV mëmë mund të ketë sipas rastit, më shumë se një seksion i cili mbulon një territor gjeografik të mirëpërcaktuar dhe/ose një komunitet, sipas ndarjes në QV e zgjedhjeve të fundit.

4-Dega e Partisë përcakton ndarjen dhe numrin e nevojshëm të grupseksioneve, ku plotësohet secila me kryetarin dhe sekretarin përgjegjës për Grupseksion. Një Grupseksion mbulon si rregull një territor që nuk ka më shumë se 10 QV mëmë dhe jo më shumë se 5000 votues faktik sipas pjesëmarrjes në zgjedhjet e fundit. Ky numër mund të jetë i ndryshëm në rastet kur respektohet ndarja sipas njësive administrative, traditës, kulturës, homogjenitetit të territorit, si dhe shtrirjes gjeografike. Territori i Grupseksionit duhet të jetë gjeografikisht i pandërprerë dhe të bëjë pjesë në vetëm 1 ZAZ. Si rregull, ndarja e territorit në Grupseksione në zonat urbane, për aq sa është e mundur, duhet të përkojë me konceptin e “ish lagjeve”, ndërkohë në zonat rurale, për aq sa është e mundur, duhet të përkojë me konceptin e “njësisë administrative”.

5-Koordinator për organizimin e FRPD apo Koordinatore për organizimin e LDG, mund të jetë sipas rastit Kryetari në detyrë i FRPD apo Kryetarja e LDG, ose një person tjetër i caktuar nga Dega e Partisë.

6-Në çdo Qark ngrihet Këshilli Koordinues i Qarkut që është përgjegjës për ndjekjen e procesit të ristrukturimit. Këshilli Koordinues i Qarkut ka në përbërje: deputetë, drejtues të strukturave lokale të partisë, Anëtarët e Kryesisë qëndrore dhe të Këshillit Kombëtar, si dhe individë me reputacion dhe kontribut në degët përkatëse.

7-Këshilli Koordinues i Qarkut mblidhet menjëherë dhe koordinon krijimin e Grupeve të Punës në çdo degë. Gjatë procesit të organizimit, Grupi i Punës në secilën Degë merr masa organizative dhe fton të bëhen pjesë e këtij procesi duke marrë përsipër përgjegjësi, potencialet më të mira dhe më të afta njerëzore të PD-së në territorin përkatës.

8-Dega e Partisë në mbledhjen e parë merr këto masa për organizimin e procesit:

a) Merr vendim për territorin që do të mbulojë çdo Seksion/Grupseksion sipas kritereve të përcaktuara në këtë udhëzim, duke respektuar përfshirje sa më të madhe të burimeve njerëzore në procesin e organizimit si dhe shmangien e konfliktit të interesit. Në çdo rast, vendimi për territorin që do të mbulojë çdo Seksion/Grupseksion bazohet tek parimi i kontrollit sa më efikas të territorit dhe të efiçencës së punës.
b) Përcakton kalendarin e proceseve në nivel Seksioni, Grupseksioni dhe/ose Dege. Kalendari i procesit të organizimit mbanë në konsideratë afatet e përcaktuara në pikën 1.

9-Kryetar Seksioni/Grupseksioni janë banorë të territorit që mbulon Seksioni/Grupseksioni përkatës. Ata duhet të jenë njerëz me eksperience politike, aktivë në aksionin politik të PDSH-së në të paktën dy vitet e fundit, me njohje shumë të mirë të territorit ose me reputacion të lartë në komunitetin ku banojnë. Dokumentacioni i plotësimit të strukturës në Seksione/Grupseksione mbahet në 2 kopje. Një kopje e dokumentacionit zgjedhor depozitohet pranë Degës së PD-së, një kopje dorëzohet pranë Drejtuesit të Këshillit Koordinues të Qarkut.

10-Ngarkohen Sekretari i Përgjithshëm, Sekretariati Organizativ, dhe Degët e PD-së, për ndjekjen dhe zbatimin e këtij Udhëzimi.

DREJTUESI I PARTISË- Enkelejd ALIBEAJ

SHKARKO APP