Alibeaj shpall prioritetet e PD për sesionin e ri parlamentar: Vetting-u i politikanëve është kryereforma
Enkelejd Alibeaj në fjalën e parë si kreu i grupit parlamentar i PD-së, shpalli në Kuvend se cilat do të jenë sfidat e grupimit të tij gjatë këtij sesioni të ri parlamentar. Zgjedhjet e 25 prillit, lufta ndaj korrupsionit, reforma territoriale, zgjedhore dhe Vetting-u i politikanëve, sipas Alibeajt do të jenë në fokusin kryesor të grupit demokrat.
”Çështjen e zgjedhjeve të 25 prillit do ta çojmë deri në fund. Është detyrimi ynë për të bërë gjithçka për t’u kthyer votën e lirë shqiptarëve. Korrupsioni është simptoma më energjike pas vjedhjes së zgjedhjeve.
Komisioni për inceneratorët do të vijojë punën pavarësisht pengesave. Kanë dalë shumë të dhëna që e kanë bërë më imediate sforcot tona. Një nga ish-ministrat e kësaj qeverie është pas hekurave dhe është bishti i kavallit.
Do të vazhdojmë Reformën Zgjedhore që targeton problemet kryesore të këtij vendi. Ky vend nuk ka më pushtet vendor, por vetëm ca ndërtesa të quajtura bashki që bëjnë para dhe punësojnë militantë. Do të kthejmë legjitimitetin në këtë parlament me kryereformën të prekshme për çdo shqiptar, Vetting-un politik. Kjo është sfida jetike ku duhet të kalojë gjithsecili prej nesh”, u shpreh Alibeaj.