Alimehmeti, Këlliçi dhe Bogdani në garën e primareve për Tiranën. Flasin për platformat
Mjeku Ilir Alimehmeti, është njëri një nga tre kandidatët në primaret e PD-së, për të qenë ai kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës. I ftuar në studion e emisionit ”Opinion”, mjeku ka shpjeguar arsyet e kandidimit të tij në primaret e Partisë Demokratike, që do të çojnë në emrin e kandidatit për zgjedhjet vendore të 14 Majit.
“Kandidimi im vjen si pasojë e dhimbjes që ndiej sa herë kaloj në kryeqytet. I mungon një administrim qytetit, një administrim për qytetarin, një administrim i thjeshtë. Kemi nevojë për një administrator . Më vjen krejtësisht natyrshëm për të bërë detyrën që i takon këtij pozicioni”, tha mjeku.
Ish-deputeti demokrat, Gert Bogdani deklaron se mund të bashkojë demokratët. Ai thotë se i ka dhënë provat në sfidat që ka përballuar gjatë kohës që ka qenë pjesë e PD.
”Unë besoj se Tirana ka nevojë për ndryshim në qeverise dhe në qasje me qytetarët. Një ndryshim për perspektivën e qytetit, duke shkuar përtej votës së PD. Besoj se i bashkoi demokratët dhe i frymëzoj demokratët për fitore në zgjedhjet e viti të ardhshëm. Kam vite që punojnë me demokratët dhe në garat që kam patur më parë i kam dhënë provat”.
Duke arsyetuar kandidimin e tij, deputeti Belind Këlliçi tha se ai ka rekorde publike të opozitarizmit dhe është i sprovuar. “Gjykoj që ky moment është moment historik. Gjykoj që kam një rekord publik të opozitarizmit dhe jam një politikan në opozitë, që nga denoncimi i aferës së inceneratorëve, në punën time në komisionin me aferën që lidh drejtpërdrejtë bashkinë e Tiranës. Gjithashtu me qëndresën e Teatrit, natën jam marr forcërisht dhe jam në gjyq. Jam politikan dhe kam mundësi të jem në sallën e parlamentit dhe gjykoj se gjithçka duhet lënë mënjanë për një interes më madhor”, tha Këlliçi.
I pyetur për shanset që ka përballë Veliajt nëse del fitues në primare, Këlliçi tha se është një njohës i mirë i Tiranës dhe problemeve të saj.