Alimehmeti: Shpenzimet për trajtimin e mjekëve të infektuar me Covid të mbulohen nga shteti

Muaji i parë i 2021 duket më i qetë se fundi i vitit të kaluar sa i përket pandemisë, thotë epidemiologu Ilir Alimehmeti duke ju referuar kështu shifrave të testimeve dhe rasteve pozitive në 24 orë.  Duke diskutuar edhe për mjekët e infektuar me koronavirus, Alimehmeti thotë se  duhet të jetë Ministria e Shëndetësisë ajo që duhet të mbulojë shpenzimet për kurimin  e tyre, kjo edhe sipas kodit të punës.

Megjithëse  Komiteti Teknik i Ekspertëve në konferencën e fundit deklaroi se është shënuar një rritje e rasteve të të prekurve me Covid në javët e fundit, epidemiologu Ilir Alimehmeti shprehet ndryshe.

Sipas tij krahasuar me muajt e fundit të vitit të shkuar, situata pandemike në vend paraqitet më e qetë duke u nisur nga numri i testimeve në raport me rastet pozitive në 24 orë.

“Po të shohim përqindjen e testeve që dalin pozitive, dje ishte 12.2%, por po të marrim  gjithë javën është diku 19%. Ndërkohë që dhjetori ra nga 38% që ishte 1 dhjetori te 22-23% që ishte para festave dhe tani që flasim është poshtë 20%.”

Një çështje që po ngjall debat ditët e fundit është dhe mbështetja financiare e shtetit ndaj mjekëve që infektohen me Covid.

Marrë shkas nga rasti i mjekut Arjan Harxhi i cili është dërguar për kurim në Turqi me shpenzimet e familjes, për Alimehmetin, Ministria e Shëndetësisë si punëdhënëse, duhet të mbulojë çdo shpenzim për kurimin e mjekëve në punë nga Covid.

“Ashtu si muratori që rrezikon me rënien nga skela, edhe një mjek mund të infektohet në spital. Mund të jetë çdo lloj sëmundje. Punon për këtë ndërmarrje atëherë dhe kjo ndërmarrje është përgjegjëse për kurën dhe dëmshpërblimet eventuale”.

Në javën e dytë fushtatës së vaksinimit anti-Covid, puna sipas Alimehmetit po ecën me ritme të ngadalta, aq sa numri i të vaksinuarve deri tani është gati i papërfillshëm krahasuar me rrezikun që ka ky virus.

SHKARKO APP