Alizoti: Sot ditë e keqe për shqiptarët. Pse duhet prishur Teatri se i është ngrehur Edi Ramës?
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, nuk i fsheh dot emocionet ndërsa komenton për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Për Ora News ai deklaron se ky është një akt turpi dhe se Rama po teston durimin e njerëzve.
Sipas tij, ky Kryeministër është bërë i pandalshëm dhe të vetmit që mund ti vënë fre janë qytetarët.
Tomor Alizoti: Sot nuk ka nevojë as për analizë, as të citojmë njerëz të mëdhenj, sot është një ditë e keqe për të gjithë shqiptarët që epshi i njeriut me çrregullime psiqike u bë institucion në Shqipëri. Kur dëgjoj dhe fjalën policia e shtetit, në Shqipëri që nga diktatura policia nuk ka qenë asnjëherë e shtetit por e vasalëve, policia e shtypësve ndaj popullit të tyre. E bën PS, ish-Partia e Punës, i biri i Kristaq Ramës, nip i Spiro Kolekës, biologjikisht përfaqësues i Partisë së Punës, prish një vepër arti, ajo që është.
Ky është fakt. Partia që ka mbajt 50 vjet këta njerëz nëpër burgjet, rikthehet dhe merr kurajon pas 30 vitesh të bëjë këtë gjë. Njeriu është peng i historisë së tij, njerëzit janë bij të baballarëve. Në këtë teatër është dënuar dhe gjyshi im me varje.
E mendoja se mund ta prishte por kur pashë rrënimin kam arritur në një konkluzion, shqiptarë duhet të ruajnë vendin e tyre, lirinë e tyre. Shqiptarë duhet të kuptojnë se kanë një njeri me të meta mendore kryeministër, njeri i rrezikshëm që ka taktikë brilante të së keqes. Duhet të ndalohet. Dilni dhe mbroni lirinë tuaj. Ky popull vuan nga servilizimi i madh. Pse duhet prishur Teatri pse i është ngrehur Edi Ramës? Pse nuk prish vilat ai po teatrin? Ky popull duhet të ketë pak dinjitet. Ky nuk po ndalon më. Ky është një test i madh që po u bën njerëzve se është demon.
Ku janë intelektualët shqiptarë? Historia bën një komb dhe qytet, nuk e bëjnë xhamat. Artistët e parealizuar janë të rrezikshëm, ky njeri duhet frenuar. Të dalin njerëzit në rrugë. Shqiptarëve nëse kjo u duket mirë le të rrinë në shtëpi, nëse u duket keq të dalin dhe protestojnë. Prishja e teatrit nuk është vetëm për të vjedhur por është edhe epshi i tij, është narcist Rama. Shqipëria ka pasur probleme me liderët por njeri të tillë nuk ka pasur Shqipëria.
Njerëzit duhet ta ndalojnë për interesin e tyre dhe jo për PD. Ti tregojnë forcën që ne jemi këtu. Shqiptarët janë dhe krenarë si qenkan kaq të nënshtruar, si nuk doli një i PS të flasë në të sëmës me gjithë mandat deputeti. Edhe kur Enver Hoxha varte njerëz në Shqipëri, duatrokisnin njerëzit. Për çdo njeri që ka një farë kulture ky është një akt turpi.