“Alo, iu dyfishuam ndihmën ekonomike”, Bardhi: Dje kallëzova në SPAK Ballën, vartësit e tij marrin në telefon qytetarët dhe…

Drejtuesi politik i PD në Elbasan, Gazment Bardhi, zbuloi në emisionin “Real Story”, në News24, se ka kallëzuar penalisht në SPAK rivalin e tij në këtë qark, Taulant Ballën.

Bardhi tha se e ka të konfirmuar që persona nga shtabi elektoral i Ballës marrin në telefon të gjithë qytetarët me ndihmë ekonomike dhe i kërcënojnë që të votojnë për PS, pasi në të kundërt, sipas Bardhit, iu thonë se do iu heqin ndihmën.

Gjithashtu, Bardhi tha se po këta numra i marrin qytetarët në telefon dhe iu thonë se iu kanë dyfishuar ndihmën ekonomike.

“Jemi në një koalicion opozitar me LSI, nuk kemi ndasi programore. Edhe LSI ka në fokus të programit ekonominë, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet vendi. Më besoni vij nga një qark ku takoj çdo ditë qytetarë, të cilët nuk kanë para për të mbyllur ditën. Fokusi ynë është ndryshimi i situatës ekonomike në vend. Sot ne kemi një njeri që kontrollon gjithçka, pushtetin lokal, atë qendror, shantazhin mbi drejtësinë. Vijnë njerëz në takim dhe na lutem të mos nxjerrim fotot, se thonë na heqin ndihmën ekonomike. Nga ana tjetër, në duart e zyrtarëve të PS kanë përfunduar para të pista, që do të përdoren në fushatë. Unë kam dorëzuar dje në SPAK një kallëzim penal ndaj Ballës, pasi kemi raste konkrete ku persona nga shtabi i tij elektoral marrin persona me ndihmë ekonomike në telefon dhe i kërcënojnë me heqjen e ndihmës, nëse nuk votojnë për PS. Ne i kemi identifikuar të gjitha numrat që marrin qytetarët. Ose marrin njerëz në telefon dhe iu thonë “Ndihma ekonomike iu është dyfishuar nga Taulant Balla”. Kjo është kriminale. Mjafton një hetim nga SPAK për të verifikuar numrat e telefonit. Janë telefonuar të gjithë personat që marrin ndihmë ekonomike në Qarkun e Elbasanit”, tha Bardhi.

SHKARKO APP